Pasi disa mbledhjesh të dështuar, Komisioni Hetimor për rrjedhjen e të dhënave të sistemit TIMS ka miratuar me shumicë votash planin hetimor të propozuar nga Partia Socialiste.

Ndryshe nga pretendimet e opozitës në fillimet e punës së këtij komisioni, në planin hetimor të miratuar këtë të mërkurë, kryeministri Edi Rama nuk është në listën e dëshmitarëve. Po kështu nuk do të ketë ekspertim të vendit të ngjarjes e as nuk do të thirren ekspertë nga gjykata sikundër kishte propozuar opozita.

Por, Komisioni Hetimor rezervon të drejtën në të ardhmen që nëse është e nevojshme të thërrasë edhe persona të tjerë për të dëshmuar.

Ervin Salinji, kryetar i Komisionit Hetimor për TIMS: Brenda datës 5 qershor 2024 parashikohet pyetja e dëshmitarëve, analizimi i fakteve brenda datës 20 qershor dhe brenda datës 5 korrik shqyrtimi përfundimtar.

Në listën e dëshmitarëve janë një sërë zyrtarësh dhe ish-zyrtarësh që do të merren në pyetje nga Komisioni Hetimor.

Për diskutimet për planin hetimor nuk munguan akuzat dhe ironitë mes mazhorancës dhe opozitës

Ervin Salinji, kryetar i Komisionit Hetimor për TIMS: Mos e merr fjalën pa kërkuar se e ka kërkuar tjetri më përpara, lere pra, ndërprite atë, hiqeni këtë, mos i fusni duart siç i fusni në buxhet  se është ves.

Toni Gogu, nënkryetar i Komisionit Hetimor për TIMS: Se ke që në fillim të mbledhjes që bën sikur të digjet xhani për këtë komision, nxiton dhe duket që ke agjendë tjetër, s’ke agjendën e hetimit.

Palët politike në dy komisionet hetimore si tek TIMS-in dhe për koncesionet në shëndetësi kanë vonesa në miratimin e planit hetimor, pasi akuzojnë njëra tjetrën se po përdorin komisionet për qëllime politike.

Klan News