Në 80-vjetorin e masakrës së popullit çam kujtohet figura e Teme Sejkos, komandantit të flotës detare shqiptare i cili u ekzekutua nga regjimi komunist i akuzuar si bashkëpunëtor i sovjetikëve për grusht shteti ndaj diktatorit Enver Hoxha.
Sipas kreut të partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, gjyqi ndaj tij ishte fillimi i përndjekjes së popullsisë çame nga diktatura komuniste.
Shpëtim Idrizi, kryetar i PDIU: Bashkë me komplotin e Teme Sejkos jo vetëm që u dënuan 63 veta, jo vetëm që u dhanë 1250 vite burg, që u pushkatuan 5 anëtarë të komunitetit çam, por që nga viti 1960 u hoq e gjithë elita çame kudo që ishte, në administratën shtetërore dhe janë rreth 300 funksionarë.
Në emër të shoqatës Çamëria, Idrizi vlerësoi me certifikatën e mirënjohjes Teme Sejkon, medalje që ia dorëzoi të birit, Rajmond Sejko.
Mes lotësh, ai kujton se ku u arrestua i ati, ishte vetëm 12 vjeç, por arriti që t’i ringjallë familjarët e tij me emrat e fëmijëve.
Rajmond Sejko, djali i Teme Sejkos: Jam i lumtur të paktën që e ngjalla babanë, mamanë edhe gjyshen. Temja, unë i thërres Teme. Të gjithë më thanë se si do t’i thërresësh. Do t’i thërres thashë, e do t’i thërres edhe baba.
Në këtë ceremoni u promovua edhe libri ‘Ringjallja e Sejkove’, i autorit, Ylli Polovina, i cili ka bërë publike gjithë kalvarin e vuajtjes së familjes Sejko.
Klan News