Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Kredia greke, për familjet e pastreha nga firmat piramidale është lëvruar vetëm në masën 10%. Shuma e premtuar në vitin 1998 nga qeveria greke kap shifrën e 5 miliard dhrahmive, të cilat do të përdoreshin për të zgjidhur problemin e strehimit të 50 mijë familjeve shqiptare, që humbën shtëpitë në kohën e firmave rentierë.

Pas shumë vitesh premtime, qeveria greke vetëm gjatë vitit të kaluar arriti të lëvronte fazën e parë të kësaj kredie, një shumë prej 500 milion dhrahmish, e cila iu dha Entit Kombëtar të Banesave, për blerjen e shtëpive me kosto të ulët, në disa rrethe të vogla të vendit, gjithsej 164 apartamente. Për fazën e dytë 4.5 dhrahmitë e shumëpritura nga të gjithë, por që nuk dihen kur do të disbursohen nga qeveria greke, Tirana zyrtare ka planifikuar të zgjidh familjet e pastreha të kësaj kategorie, duke ndërtuar shtëpi me kosto të ulët.

Sipas listës së të pastrehëve të fajdeve, shtëpitë do të ndërtohen në Tiranë 409 apartamente, në Vlorë 400 apartamente, në Durrës 300 apartamente, në Fier 225 apartamente dhe në Gjirokastër 16 apartamente, qytete të cilat rezultojnë me numër më të madh të familjeve të pastreha, viktimë të firmave piramidale. Por deri tani nuk janë hapur as themelet për apartamentet e reja, sepse të gjitha procedurat janë vetëm në letër, pasi presin zhbllokimin e kredisë greke.

Viktima të kësaj historie janë edhe gratë, që ditë më parë nisën grevën e urisë me shpresën se do të sensibilizonin autoritetet, për të përfituar shtëpinë e shumëkërkuar, që humbën 6 vjet më parë në fajde. Greva erdhi pas takimit që ambasadori shqiptarë në Athinë Bashkim Zeneli zhvilloi me zv/ministrin e Jashtëm të Greqisë Loverdhos, ku u premtua zhbllokimi i kredisë greke, por edhe këtë herë kredia mbetet sërisht në letër, ndërsa gratë vazhdojnë protestën e tyre ekstreme./tvklan.al

Gazetare – Eva Paja