Vladimir Prela, diplomat i karrierës që u nda nga jeta vetëm një ditë më parë, është nderuar me homazhe në Ministrinë Shqiptare të Punëve të Jashtme.
Anëtarë të kabinetit qeveritar, politikanë, përfaqësues të trupit diplomatik shqiptar e të huaj, miq e bashkëpunëtorë të shumtë i kanë dhënë lamtumirën e fundit ambasadorit tonë në Maqedoni.
Kryeministri Sali Berisha e vlerësoi kontributin e Prelës në shërbimin diplomatik shqiptar.
Sali Berisha: “Duke i shprehur ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, bashkëshortes, fëmijëve, familjarëve dhe të gjithë diplomacisë shqiptare dhe miqve të shumtë, të cilëve Vladimiri u ka lënë kujtimin më të mirë. Lutem që të gjejë paqen që meriton”.
Vladimir Prela u nda nga jeta në moshën 60-vjeçare si pasojë e një ataku kardiak. Një humbje e parakohshme kjo jo vetëm për familjen, të afërmit dhe miqtë e tij, por edhe për diplomacinë shqiptare.
Prela shërbeu si ambasador i Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë që prej vitit 2003 duke shënuar në CV-në e tij të diplomatit një sërë zhvillimesh të rëndësishme që morën marrëdhëniet mes dy vendeve gjatë viteve të fundit./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi