Stina e verës po shkon drejt mbylljes por jo sezoni turistik.
Operatorët turistikë në Durrës thonë se kanë rezervime deri në fund të Tetorit, kjo ndihmuar edhe nga kushtet e motit.
“Sezoni do të vazhdojë deri në fund të Tetorit në mënyrë të rregullt sepse koha është shumë e mirë dhe prenotimet vazhdojnë, jo me atë ritëm, por vazhdojnë”, tha Eduart Xhepa, kryetar i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit.
Bizneset pranë bregdetit janë të kënaqur me ecurinë e sezonit pasi kanë përjetuar një rritje të turizmit krahasuar me një vit më parë.
“Ky sezon në Durrës ka qenë shumë i mirë krahasuar me vitin e kaluar, një përqindje më të mirë, gati 10% më mirë”, tha Xhepa.
Këtë vit në Durrës kanë pushuar vizitorë nga vende të ndryshme jo vetëm të Europës.
“Ajo që na gëzon më shumë është se turistët i kemi nga e gjithë bota dhe kjo tregon që Shqipëria është kthyer në një destinacion turistik”, tha ai.
Operatorët turistikë thonë se fokusi duhet të jetë tashmë te turizmi gjithëvjetor pasi Shqipëria është kthyer në një trend turistik që nuk vizitohet vetëm në verë.
Tv Klan