Protestë të dhunshme e ka cilësuar Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, atë që zhvilloi opozita në disa rrugë të Tiranës. Nga spitali i Traumës, ku së bashku me Drejtorin e ri të Policisë së Shtetit, Ilir Proda vizituan policët e lënduar, ministri Hoxha tha se policia veproi konform ligjit.
“U sulmuan institucione kushtetuese të shtetit shqiptar, sikurse ju e patë. Janë sulmuar pothuajse të gjitha institucionet e shtetit shqiptar, përfshirë këtu edhe PS. Ky sulm, ka bërë që Policia të përgjigjet dhe të zmbrapsë trumën duke përdor edhe gazin lotsjellës. Përgjigja e policisë është konform ligjit. Protesta e motivuar politikisht është një e drejtë për tubim, të drejtën për tubim policia e ka garantuar. Në vijim të protestës të radhës policia do jetë në krye të detyrës dhe lartësinë për të përballuar çdo protestë sa i përket dhunës që mund të shkaktohet. Protesta ishte e dhunshme dhe në raste kur punonjës policie përfshihen në flakë dhe protestuesit e dhunshëm hedhin molotovë drejt policëve përgjigja e policisë do jetë e rreptë në proporcion me sulmin. Policia e Shtetit sot ishte në standardet e një police europiane, megjithëse kjo protestë konsiderohet e dhunshme”, tha Hoxha.
Teksa foli për gjendjen shëndetësore të policëve të lënduar, Ministri njoftoi se nga qytetarët nuk ka asnjë të dëmtuar në këtë protestë.
“Kanë dëmtime të lehta, disa kanë lënë spitalin. 3 janë ende nën vëzhgimin e mjekëve. Menaxhimi i tubimit ka qenë në përputhje të plotë me ligjin, i falënderoj për punën, përkushtimin dhe detyrën. Asnjë nga tubuesit dhe qytetarët nuk është lënduar dhe dëmtuar përveç punonjësve të policisë. Numri i punonjësve të policisë është 10.”
Ministri Hoxha dhe kreu i Policisë së Shtetit vizituan edhe një nënë, e cila lindi në makinë për shkak të bllokimeve të rrugëve nga protestuesit.
Klan News