Trajneri i Shqipërisë U-21, Alban Bushi, ka publikuar një mesazh të ndjerë, pasi humbi dy prindërit, në një aksident në Greqi.
Ne mesazhin e tij, Bushi shkruan se vdekja për shkaqe natyrale është e dhimbshme, por kur ajo vjen për shkak të një aksidenti, është ulëritëse.
“Mënyra për ta pranuar një humbje është e lidhur me mënyrën se si ka ardhur. Një vdekje e ardhur nga shkaqe natyrale është e dhimbshme, por është ulëritëse kur vjen për shkak të një aksidenti.
Nuk di sa forcë duhet për të përballuar veten që rri para jush, si dëshmitar i pafuqisë ekstreme për të ndryshuar atë ç’ ka ndodhur. Madje dhe kur fatmirësisht vjen një kujtim i mirë, s’ke fuqi as për britmë lumturie, por zëvendëson një palë lot me të tjerë.
Sot dhimbshëm mora orat që kane punuar në pulsat e zemrave tuaja, aq me formë dhe vlerë në orë të pafundme pa formë që kur ai aksident, me një përplasje ju hoqi fillin e jetës. Deri në përqafimet tona të ardhshme, ju dua pafundësisht, përjetësisht dhe përtej.”, shkruan Alban Bushi.
Dy prindërit e trajnerit, Ali (75 vjeç) dhe Bukurije Bushi (71 vjeç), humbën jetën pas një aksidenti të rëndë në rrugën “Egnatia” në aksin Veria-Selanik. Automjeti me të cilin ata po udhëtonin, u përplas nga një fugon, duke iu marrë jetën. /tvklan.al