Salushja hyri në “Ka Një Mesazh Për Ty” me një valixhe druri që kuriozoi të gjithë të pranishmit në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan. Ajo nisi të rrëfente se jeta nuk ka qenë fort e lehtë për familjen e saj. Kur Salushja ishte 7 vjeçe, babai ndërroi jetë nga një aksident në punë dhe la pas 4 vajza e një djalë.
Vëllai i Salushes asokohe ishte 24 vjeç dhe puna e tij ishte 6 orë larg nga shtëpia. Ai mori rolin e kryefamiljarit dhe u kujdes për të gjithë, fillimisht duke e shpërngulur familjen në një fshat një orë larg Librazhdit dhe më pas, duke u përpjekur t’i ofronte secilës diçka.
Ai u kujdes për dasmat e tyre, ndërsa Salushja dëshironte të studionte. Me shumë mund, ajo fitoi bursën e shkollës së mesme dhe sakrifica e vëllait ishte që ta merrte çdo javë me biçikletë për në shtëpinë e tij për ta ndihmuar me ç’të mundte ndonëse kushtet ekonomike ishin të vështira.
Salushe: Shkoja ndonjëherë te vëllai atje se kishim edhe shërbime, për t’u larë, për ndonjë gjë, shkoja se punonte magazinier në tregti, shkoja për t’i kërkuar ndonjë gjë, më vinte turp t’ia kërkoja se aq ishte. Më thoshte “pse erdhe?”, për qejf erdha i thoja, “do ndonjë gjë?”, jo jo, por e dinte se…
Ardit Gjebrea: Ajo “jo, jo” ishte “po, po”.
Salushe: Pasi mbarova shkollën e mesme, unë u fejova. Pastaj më bëri vëllai një dasmë që s’e kisha ëndërruar kurrë, me vello e me gjithë sa pati mundësi, me kolektiv.
Ardit Gjebrea: Tani më trego një çikë, kjo valixhja si e ka historinë?
Salushe: Me këtë valixhe kam shkuar 4 vjet në shkollë të mesme.
Ardit Gjebrea: Nuk kishe çantë?
Salushe: Nuk kisha çantë.
Ardit Gjebrea: Po ku e gjete këtë valixhe?
Salushe: Këtë valixhe ma ka sjellë vëllai me duart e veta.
Ardit Gjebrea: Të bëri vëllai këtë valixhe.
Salushe: Po.
Ardit Gjebrea: Dhe në këtë valixhe ti fusje librat, gjërat…
Salushe: Po se aty në konvikt i donim të gjitha, i mbyllnim aty se ashtu ishte koha atëherë. Aty në atë valixhe mbaja librat, gjërat personale, çdo gjë./tvklan.al