Analistët e kanë të vështirë të parashikojnë së çfarë do të ndodhë me grupin e deputetëve brenda Partisë Socialiste që bënë publike një ditë më parë vendimin për të thyer bojkotin disa mujor të Kuvendit, në javën e parë të muajit mars. Blendi Fevziu ofron tre nga skenarët e mundshëm të zhvillimeve që mund të përfshijnë partinë më të madhe në opozitë që lidhen pikërisht me përfundimin e afatit kushtetues 6 mujor për vlefshmërinë e mandatit të deputetit.

Blendi Fevziu: “Ata kanë lënë një mbledhje të dytë në të cilën do diskutojnë se cili do të jetë qëndrimi ndaj bojkotit. Ka disa versione që unë mendoj, i pari është që ata të vendosin t’i djegin mandatet dhe të mos hyjnë fare në parlament duke e radikalizuar situatën me riskun që një pjesë e deputetëve do duan të hyjnë në parlament dhe kjo ta çajë në dysh grupin parlamentar të PS-së. Versioni dytë është që të gjithë të hyjnë të bëjnë betimin dhe të largohen sërish, por dhe këtu ekziston risku që 5 deputetë ose disa tjerë në momentin e hyrjes nuk do të largohen më nga parlamenti dhe versioni tretë është që PS-ja të hyjë e gjitha në parlament dhe të fillojë të ushtrojë funksionet e saj me presionin politik brenda parlamentit, për ta detyruar mazhorancën të modifikojë diçka sipas agjendës që ajo ka, qoftë edhe për hapjen e kutive. Kështu që jemi në këto tre versione, është ende herët të thuash se cili do të jetë dominanti, duket sikur tani dy grupet janë ndarë, pra një pjesë e grupit që respekton mendimin e zotit Rama për bojkot dhe 5 të tjerë kanë deklaruar që do të hyjnë. Por në gjykimin tim personal, unë kam përshtypjen që të gjithë do të hyjnë për ta bërë betimin, nuk e di pastaj sa do rrinë dhe sa do dalin sërish nga parlamenti.”

Por shkelja e një vendimi politik sipas statutit parashikon dhe ndëshkimin me përjashtim të grupit kundërshtar. Henri Çili thotë se një gjë e tillë është mirë të mos ndodhë dhe se PS duhet të mësojë të bashkëjetojë me këtë realitet të ri. 

Henri Çili: “Logjika politike e do që këto frymëra brenda PS-së të riintegrohen në funksion të projektit të ardhshëm politik, të ringritjes së opozitës, e cila ka shumë sfida përpara siç e thash. Është tjetër gjë që mund të ndodhë ajo që është tradicionale, ajo që është banale në jetën politike. Siç e thash, që sa herë ka një konflikt në një mënyrë ose në një tjetër, herët ose vonë përjashtohen, vetëpërjashtohen, i përjashtojnë, gjenden kleçka të kësaj natyre. E rëndësishme është që sot opozita gjendet në një gjendje të tillë që lidershipi i Ramës thuajse nuk diskutohet dot më, çfarëdo që të themi dhe nga ana tjetër nevoja që ai të ndërtojë një strategji politike fituese duke integruar të gjithë faktorët aq më tepër të themi Blushin, grupin e tij dhe kontributet e tyre, për të pasur shanse realiste në zgjedhjet e ardhshme.”

Çili shton gjithaq dhe nevojën që mazhoranca t’i ofrojë një kompromis opozitës i cili jo domosdoshmërish duhet të marrë në konsideratë hapjen e kutive të votimit. Çili sjell si shembull kompromisin e Berisha-Nano.

Henri Çili: “Por midis hapjes së kutive dhe bojkotit të parlamentit ka një hapësirë shumë të madhe negocimi. Me një fjalë një kompromis dinjtoz për futjen në parlament unë do të kuptoja shumë nga reformat e tjera për të cilat ka nevojë vendi për praninë e opozitës. Unë do bëja një paralele me vitin 2002 me kompromisin Nano-Berisha. Pra ka nevojë për një kompromis të ri politik për i dhënë jetë një demokracie funksionuese.”/tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi