Një ngjarje makabër është dëshmuar në një gjykatë në Angli nga nëna e një vajze që rrëfeu sesi i dashuri i saj e kishte torturuar fëmijën dhe më pas të dy kishin shëtitur me trupin e saj në karrocë.
Kamerat e sigurisë kanë regjistruar Chelsea Gleason-Mitchell dhe Scott Jeff që hyjnë në një lokal dhe në dyqane me trupin e 2-vjeçares Isabella Wheildon pasi ajo ndërroi jetë. Sipas “Daily Mail”, të dy e mohojnë vrasjen e saj, por nëna pranon se e ka lejuar vdekjen e së bijës.
Mjekët ligjorë thonë se Isabella kishte pësuar fraktura të shumta në zonën e legenit para se të vdiste, të cilat ishin shkaktuar “me forcë të konsiderueshme” dhe ishin të krahasueshme me përplasjen nga makina.
24-vjeçarja dëshmoi në gjykatë se e kishte parë të bijën ndërsa i dilte gjak nga organet gjenitale teksa ishte e shtrirë në një peshqir në strehën ku ata qëndronin në Ipswich, Suffolk. E pyetur nëse ia kishte shkaktuar Jeff, ajo tha: “E pashë që ai e shkelmonte vazhdimisht në atë zonë dhe e qëllonte. Më shumë se një herë”.
Tri ditë para 26 qershorit kur Isabella ndërroi jetë, e pandehura tha se “ishte e shqetësuar që do t’i ndodhte diçka e keqe për shkak të herëve që ishte rrahur”.
Juria pa regjistrime ku ata të tre hipnin në një tren më 19 qershor dhe Jeff mbante 2-vjeçaren që kishte vënë syzet e errëta që ia kishte dhënë ai për të fshehur të nxirat në fytyrë. Në një video në telefonin e tij, ai dëgjohet kur i thotë: “Do të të qëlloj me thikë… do që babi të të fusë një thikë?”
Gleason-Mitchell kishte pasur një lidhje 3-mujore me Jeff në vitin 2019 që përfundoi sepse ai përdorte kanabis, kokainë dhe ekstazi. Më pas u njoh me Thomas Wheildon në dhjetor të 2019 dhe mbeti shtatzënë me Isabella-n. Çifti u nda në maj, ajo la punën dhe u ritakua me Jeff që vendosi që vajza të ishte e tija sepse “i ngjante”. Të dy u përpoqën që përmes deklaratave të rreme se 24-vjeçarja po kërkonte ndihmë për shkak të dhunës në shtëpi, të strehoheshin nga shteti.
Më pas, Jeff “nisi të kujdesej” për vajzën. Sipas saj, dhuna fizike nisi kur ata u zhvendosën në një hotel. Ai po e mësonte që të përdorte uturakun dhe e ndëshkonte nëse ndodhnin ‘aksidente’.
“E qëllonte në dorë. Nisi me të majtën e më pas me të djathtën”. Jeff e detyronte 2-vjeçaren të bënte dush me ujë të ftohtë për ta ndëshkuar dhe e shkelmonte e gjuante kur “s’ishte në humor të mirë” sepse “i duhej ca drogë”.
Dhuna vazhdoi në çdo shpërngulje tyren. “Nëse ndodhnin aksidente, ai e fuste prapë në dush të ftohtë, e hidhte në tokë dhe e gjuante. I thosha të ndalonte por ai më shtynte dhe thoshte se tani e kishte ai kontrollin mbi të”.
Në një tjetër video, shihet momenti kur 24-vjeçari e pyeste vajzën se “kush ishte burri i keq që e lëndonte?”, ajo thoshte “Thomas”, por sipas së ëmës, i ati nuk e kishte prekur kurrë me dorë.
Momentet e fundit të jetës, Isabella gjendej në shtratin e saj duke “u përpjekur të fliste”. Jeff “e nxori” dhe 24-vjeçarja nisi të bënte frymëmarrje artificiale, por shpejt kuptuan se ajo nuk jetonte më.
Ata u endën për tri ditë me trupin e saj në karrocë. Policia e gjeti vajzën në një dhomë të strehës pas një udhëzimi nga shoqja e Gleason-Mitchell. Autopsia zbuloi se veç legenit të thyer, Isabella kishte dy brinjë të thyera, të nxira të shumta dhe lëndime të indeve të buta. Shkaku i vdekjes ishte embolia e shkaktuar nga rrjedhja e palcës së kockave në mushkëri.
Jeff ka mohuar shkaktimin dhe lejimin që fëmija të vdiste dhe mbi të rëndojnë dy akuza për lëndim të mituri. Gleason-Mitchell ka pranuar se ka shkaktuar ose lejuar vdekjen e fëmijës dhe gjithashtu përballet me dy akuza.
Prokurorët thonë se ajo “ndenji, pa dhe s’bëri asgjë” ndërsa Jeff vazhdonte aktet e tij “të tmerrshme, mizore dhe fatale”. Gjyqi është ende në vijim./tvklan.al