Jamarbër Hoxha është një personazh i njohur në botën e medias si një prej luftëtarëve të spektrit të autizmit. Ai është diagnostikuar në moshën 3-vjeçare dhe është një rrëfim suksesi. Sot Jamarbri  13-vjeçar rikthehet në studion e “Rudina” në Tv Klan së  bashku me nënën e tij në Ditën Ndërkombëtare të Ndërgjegjësimit mbi Autizmin.

Pavarësisht arritjeve të Jamarbrit, nëna, Miranda e kujton ende ditën kur mësoi diagnozën. Ajo përshkruan ndjesinë e atij momenti dhe rizgjimin e saj në momentet e vështira të të birit, i cili gjatë vitit të shkuar ka kaluar një të tillë.

Rudina Magjistari: Si e kujton atë moment?

Miranda Hoxha: Shumë i vështirë. Mbase brenda meje ai moment nuk kalon asnjëherë. Është i strukur aty, diku është thellë, diku del në sipërfaqe. Në një moment të vështirë të Jamarbrit ai del në sipërfaqe, ai momenti i parë. Mund të them që verën e kaluar pati një lodhje, e shoqëronte të atin në punë gjatë pushimeve verore  dhe le të themi një luhatje emocionale, të përqendrimit dhe vendosëm menjëherë në atë moment ta çojmë te psikologia. Ishte ndërprerë terapia që me fillimin e shkollës dhe u pa e arsyeshme  futja në adoleshencë ose në paraadoleshencë të vijojë të ndjekë psikologen. Janë bërë pothuajse 6 muaj dhe ai ndihet shumë mirë, madje ka shpërthyer./tvklan.al