Në emisionin “Rudina” në Tv Klan, ka qenë e ftuar blogerja e njohur Linda Dido, e cila shpesh herë ka qenë në studion për të folur për trendet e fundit të modës, por sot ka ardhur të rrëfejë momentin e saj më të vështirë në jetë, ndarjen nga jeta të nënës së saj për shkak të Covid-19. Një ndarje e parakohshme nga jeta që ka lënë një dhimbje të madhe tek ajo, por mbi të gjitha ka lënë dhe shumë kujtime pas që ajo do t’i ruaj gjithmonë.
Linda Dido: Kishte një temperaturë 37, pasi morëm përgjigjet e testit kontaktuam një mjek specialist dhe i dha një kurë intensive dhe vumë re që mami pati goxha përmirësim. Pasi bëmë një kontroll të dytë, kishte një prekje të papërfillshme të mushkërive. Por gjatë asaj kohe na u infektua dhe babi në shtëpi. Babi e pati virozë sepse e kishte marrë nga mami dhe ishte kapur m shpejt sesa mami.
Mendoj që meshkujt janë më frikacakë dhe e mori me frikë. Ndodhi një problem me babin, ai rrëshqiti në tualet dhe në atë moment pati probleme me oksigjenin dhe ne u detyruam të thërrisnim ambulancën. Aty ndryshoi çdo gjë. Brenda 24 orëve mamit i vajti temperature 39 e gjysmë dhe shkuam bëmë një kontroll tjetër që vumë re një prekje të jashtëzakonshme të mushkërisë.
Babi ndenji vetëm një natë në spital, bëmë kontrollet dhe më thanë që nuk ka asnjë gjë. Gjatë natës që babi ka qenë në spital, u rëndua mami, ndoshta ankthi, stresi sepse mamin e trembte shumë spitali dhe pa u sëmurë me Covid më thoshte “Linda, çfarëdo që të ndodhë, të lutem atje mos më ço” dhe ne e kemi mbajtur 21 ditë në shtëpi me aparatura oksigjeni, normalisht me infermierë dhe kontakt me mjekun.
Rudina Magjistari: Aparaturat e oksigjenit si i siguruat?
Linda Dido: I kemi blerë, çdo gjë i kemi blerë, nuk mund të gjenim dot një aparaturë me qira. Kemi blerë dy aparatura oksigjeni duke qenë se dhe babi kishe nevojë për oksigjen dhe dy bombola oksigjeni, pasi aparaturat mamit nuk po i bënin efekt.
Rudina Magjistari: Sa ju kushtoi aparatura e oksigjenit?
Linda Dido: Njëra ka kushtuar diku tek 1200 euro dhe tjetra 900 euro.
Rudina Magjistari: Po të kishte qenë në spital, çfarë mund të ishte bërë ndryshe, si mendon?
Linda Dido: Në shtëpi unë u bëra në një farë mënyre mjeke e të dyve dhe them ndoshta nuk isha aq e aftë për të këtë gjë. Ky është problemi që ne kemi dëgjuar aq shumë për spitalet dhe normalisht kemi parë rastet e fundit dhe të gjithë si fëmijë kishim shumë frikë që ta çonim mamin në spital deri në momentin nuk po e furnizonin as aparaturat që ne kishim në shtëpi.
Ajo më thotë vetë, “Linda çfarë do bëjmë”, i thashë çfarë të kesh ti dëshirë. Tha unë dua të shkoj në spital se ndoshta atje kanë diçka më shumë për mua dhe këtë bëmë. Pengu im ishte se i thashë që do bëjmë analizat dhe do të të nxjerri. Pasi kontaktuam me mjeken tha e ka një përqindje jete këtu, nëse do e merrni në shtëpi do ju ngelet peng për tërë jetën, por mua prap peng më ka ngelur, nuk është se ma ka lehtësuar kjo gjë.
Këto janë protokollet që janë në gjithë botën. Është traumë për mua. Vdekja e saj vetëm atje që ishte traumë dhe për atë se ma thoshte shpesh që nuk e di se si mund të vdesin ata njerëz atje vetëm, pa pasur dikë në krah dhe kur më thonë bëhu e fortë, nuk e gjej dot forcën. /tvklan.al