Policia e Shkodrës ka dyshime të forta që Ibrahim Lici të ketë qenë i pranishëm në makinën tip “Benz” që iu bë atentat më 30 Tetor në Dobraç e ku mbeti i vrarë mes disa personave edhe vëllai i tij, Hamza Lici.

Gazetari Besar Bajraktaraj raporton se dyshimet janë përforcuar edhe më shumë pasi në disa pamje të tjera, personi i veshur me të zeza shfaqet duke i dhënë ndihmën e parë Hamza Licit. Siç duket nga fotoja, mbi të shfaqet edhe një punonjës i repartit “Shqiponja”.

Megjithatë deri më tani nuk ka asnjë konfirmim nëse personi në fjalë është apo jo Ibrahim Lici. Gazetari Bajraktaraj thotë se edhe rezultatet e analizave të materialeve biologjike nuk kanë mbërritur akoma.

Uniformat blu kanë ushtruar kontrolle edhe në disa klinika private, por pa sukses. Kjo për arsye se hetuesit dyshojnë se ai mund të ketë mbetur i plagosur dhe të ketë kërkuar ndihmë mjekësore.

Makina “Range Rover” i autorëve të masakrës së Shkodrës

Nga atentati në Dobraç të Shkodrës humbën jetën Hamza Lici dhe Arlind Bushati të cilët udhëtonin me një makinë tip “Benz” me targa kroate.

Pas të shtënave që zgjatën për rreth 300 metra, Lici dyshohet se humbi kontrollin e makinës dhe u përplas me një motor ku udhëtonin çifti Bashkim e Flutura Basha. Gruaja humbi jetën në vend, ndërsa bashkëshorti i saj u nda nga jeta pas 5 ditësh betejë me vdekjen./tvklan.al