Rritja e çmimit të karburanteve në vend, u pasua edhe me rritjen e çmimeve për produktet e shportës. Kjo situatë, solli një reagim të madh nga qytetarët, të cilët për disa ditë me radhë protestuan para Kryeministrisë.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi në emisionin “Opinion” në Tv Klan, se rritja e çmimeve ka ardhur për shkak të luftës që po zhvillohet në Ukrainë, por dhe për faktin se rritje ka pasur edhe kur produktet kanë hyrë në doganën shqiptare.
Ndër të tjera, Ibrahimaj tha se rritja e çmimeve në tregun vendas, është më e madhe se ajo e produkteve që hyjnë në doganë.
“INSTAT, këto ditë është angazhuar si të gjithë institucionet publike, që të monitorojë çmimet në bazë ditore, për ato produket që janë Brenda shportës se vetë. Në këtë situatë kaotike, nga dita në ditë, çmimet kanë ndryshuar, flasim për produktet kryesore. Ne kemi monitoruar çmimin e orizit, bukës, vajit dhe sheqerit. Të gjitha çmimet kanë pësuar rritje. Në radhë të pare ka të bëjë me krizën ndërkombëtare, pasi produkte si mielli dhe vajit importohen, dhe çmimet janë rritur që kur këto produkte hyjnë në doganë. Rritja e çmimit në tregun vendas, është më i lartë se sa rritja e çmimeve në doganë, dhe për këtë arsye ne do ngremë bordin, për të kontrolluar çmimet e shumicës dhe pakicës. Çmimet në ekonominë e tregut rregullohen vetë, ne nuk mund të ndërhyjmë. Nëse rritja abusive prek interesin publik të përgjithshëm, kemi vendosur se do të monitorojmë vetëm disa produkte bazike të shportës”, tha Ibrahimaj./tvklan.al