“Sy m’Sy” me qytetarët, Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur disa pyetjeve të adresuara nga qytetarët në rrjetet sociale. I pyetur lidhur me rritjen e çmimeve Rama u shpreh se qeveria në një vend demokratik nuk ka në dorë uljen apo ngritjen e çmimeve. Kryeministri shtoi se inflacioni në vendin tonë ka qenë më i ulëti në rajon.
Sa i takon uljes së çmimit të energjisë Rama u shpreh krenar për këtë arritje.
Edi Rama: E para qeveria nuk i ngre as nuk i ul çmimet në asnjë vend demokratik që të jemi të qartë. E dyta e punës në Shqipëri ne kemi pasur inflacionin më të ulët në rajon, pra ngritjen më të ulët të çmimeve në rajon. Dhe nga ana tjetër nëse ty të vjen për të qeshur për uljen e energjisë unë besoj që atyre që i bien lapsit dhe atyre që paguajnë faturën e energjisë në Shqipëri nuk i vjen për të qeshur sepse është 10.5% e çmimit që është ulur. U ul 1 Lekë, por i gjithi është 9.5 Lekë u ul një Lekë. Është 10.5% e çmimit që është ulur dhe unë jam shumë krenar për këtë sepse është një ulje atipike në një periudhë kohe që askush nuk e ul, por e ngre çmimin e energjisë.
Ndërkohë sa i përket turizmit dhe shtrirjes së tij edhe në sezonin dimëror, Rama tha se turizmi po zgjerohet ku kemi pasur një shtim të turistëve edhe në muajt e tjerë dhe jo vetëm në sezonin e verës.
Edi Rama: Turizmi është duke u zgjeruar. Nëse ne kishim një turizëm shumë të reduktuar muajsh me një numër relativisht shumë të ulët ne sot nuk e kemi më turizmin Korrik-Gusht po fillojnë hotelet qysh në Prill dhe deri në Tetor ndërkohë që zgjerimi i turizmit tregohet edhe nga shifrat ku kemi rritje të numrit dhe jo më arsye të plazhit. Tirana është një magnet i fortë, por edhe qytete të tjera që kanë trashëgimi kulturore dhe pastaj ka shumë akoma për të bërë për të atraktuar turistë dhe në dimër dhe jemi shumë pranë nisjes së projektit të parë të resortit të skive në Shqipëri.
/tvklan.al