Kryetari i grupit kuvendor demokrat, Astrit Patozi, dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, ne dy deklarime te ndryshme akuzuan kryetarin e Partisë Socialiste për kërcënim te funksionimit te institucioneve demokratike.

Patozi-Meta iu referuan pikërisht ultimatumit  dhjetëditor te vendosur nga Partia Socialiste si afat për plotësimin e kërkesës për hapjen e kutive te votimit, ne rast te kundër kryesocialisti Rama paralajmëroi se do te provokohen zgjedhje të parakohshme.

Pikërisht ne këtë qëndrim grupi parlamentar demokrat e lexon si kërcënim për themelet e demokracisë.

Astrit Patozi: “Ky ultimatum inspirohet gjithashtu edhe nga familja e tij mafioze e Don Gramozit, Kokëdhimës e të tjerë si ata. Kjo thirrje për të përmbysur me forcë rendin kushtetues dëshmon se ky pinjoll i diktaturës komuniste dhe njëkohësisht bos i familjes më të rrezikshme mafioze të vendit po kërkon të dhunojë vullnetin e shqiptarëve të shprehur me votë të lirë më datën 28 Qershor. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike e fton zotin Rama që këtë ultimatum t’ia nisë Enverit, Spiros apo Kiços si familja e tij historike dhe biologjike. Po ashtu një kopje të tij t’ua dërgojë Don Gramozit, Kokëdhimave apo Dulakëve dhe të tjerë që bëjnë pjesë në familjen e tij numerike mafioze. Ne i themi kryetarit të Partisë Socialiste zotit Edi Rama se me dhunë dhe ultimatume ka vetëm një rrugë, të firmosësh fundin e turpshëm dhe të pashmangshëm politik për vete dhe për frymëzuesit e tu.”

Ministri i jashtëm, Ilir Meta, theksoi se Rama duhet te rilexoje rezultatin e certifikuar edhe ndërkombëtarisht te zgjedhjeve te 28 Qershorit. Meta e cilësoi  te paarsyeshëm dhe gjithashtu kërcënues ultimatumin 10 ditor te PS.

Ilir Meta: “Jemi përsëri për të ftuar edhe një herë tjetër lidershipin e Partisë Socialiste që të heqë dorë nga politika e dështuar në Shqipëri e nxitjes së tensioneve, të rrëmujave, të ultimatumeve të pavlera. Nuk mund të quhet dialog ultimatumi. Ultimatumi është ultimatum. Vihet data, kalon data ikën ultimatumi, skadon. Dialogu do të thotë që të shqyrtohet çdo kërkesë e ligjshme. Kërkesa për hapjen e kutive është e paligjshme, është antikushtetuese dhe këtë vetëm këta zotërinj e kërkojnë jo se kanë hallin e kutive se kutitë vetë i kanë numëruar, vetë i kanë vulosur, vetë i kanë firmosur, por sepse e duan si një alibi për rrëmuja në këtë vend ku qytetarët duan qetësi dhe duan normalitet”./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi