Nga qyteti i Burrelit ku ka zhvilluar një takim me të rinjtë e këtij rrethi kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i ka bërë thirrje edhe një herë kryesocialistit Rama që pas kthimit për rishqyrtim të kodit zgjedhor nga presidenti të gjejë një rrugë bashkëpunimi për të arritur standardet e kërkuara për ligjin elektoral.
Ilir Meta: “Unë do të bëj edhe një sforco tjetër meqenëse ka ende kohë për t’u bërë rishikimi i kodit në emër të evitimit të tensionit përpara zgjedhjeve dhe gjatë zgjedhjeve. Do t’i jap edhe një mundësi zotit Rama që të reflektojë duke i kërkuar atij për t’u takuar dhe për t’i ndarë nga afër edhe një herë këto shqetësime me të”.
Por pavarësisht kësaj thirrjeje për bashkëpunim Meta duke ndarë me të pranishmit në takim copëra bisedash të bëra me ndërkombëtarët në lidhje me kodin zgjedhor dhe qëndrimin e kreut të mazhorancës për këtë çështje ka lënë të kuptohet se përgjegjës për heqjen e përfaqësuesit të LSI-së nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është kryesocialisti Rama.
Ilir Meta: “Dhe mua më vjen vërtet shumë keq kur takohem edhe me përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe me shumë personalitete ndërkombëtare të cilët më thonë që ne zoti Meta kemi folur me kryeministrin Berisha për këtë çështje. Ne kemi folur me Ministrin e Jashtëm, zoti Basha. Jemi në një pozicion të vështirë sepse edhe kryeministri Berisha, edhe Ministri i Jashtëm, Basha na thonë që shqetësimet që ngre LSI-ja janë të drejta, por i thotë Berisha dhe Basha ne nuk kemi çfarë t’i bëjmë kryetarit të Partisë Socialiste, zotit Rama, sepse ai na thotë nuk votoj kodin në rast se LSI-ja nuk mbetet pa komisionerë në procesin e administrimit”./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka