Qarku i Elbasanit ka qenë ndalesa e radhës e kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i cili prezantoi dy kandidatët për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit.

Rexhep Bica do të kandidojë në siglën e LSI-së në Peqin, ndërsa Zenun Bullari në zonën e Belshit.

Gjatë takimit me banorë të këtyre dy zonave, Meta garantoi mbështetësit e LSI-së se pas 28 Qershorit, Shqipëria do të ketë një tjetër qeverisje e cila ka si prioritet të sajin punësimin dhe luftën ndaj varfërisë e korrupsionit në vend.

Ilir Meta: “Është koha për veprim. Ne kemi plan të qartë për krijimin e të gjithë industrisë agro-përpunuese dhe vetëm përmes krijimit të gjithë industrisë agro-përpunuese ne planifikojmë që në katër vitet e ardhshme të krijojmë 30 mijë vende të reja pune në të gjithë Shqipërinë”.

Duke atakuar mazhorancën qeverisëse për varfërinë në vend, Meta tha se është koha për të krijuar një shumicë që do të largojë pasojat që ka sjellë qeveria Berisha që prej 2005, si varfëria në rritje për shkak të korrupsionit dhe që sipas tij ka krijuar pasiguri për të ardhmen e të rinjve në vend./tvklan.al