Lëvizja Socialiste për Integrim ka mirëpritur reagimin jo për herë të parë të kryeministrit Berisha në favor të kërkesave të kësaj force politike lidhur me kodin zgjedhor, reagim që për kreun e LSI-së, Ilir Meta, vjen për shkak të presionit të brendshëm dhe ndërkombëtar për standarde për zgjedhjet.
Ilir Meta: “Dhe synon përmes qëndrimeve të tij të fundit së pari t’u bëjë të ditur partnerëve ndërkombëtarë që nuk është ai problemi në rast se nuk arrihen standardet e zgjedhjeve dhe së dyti në rast se do të ketë probleme me zgjedhjet synon që përgjegjësinë t’ia faturojë lidershipit të Partisë Socialiste ose t’i trajtojë si probleme të brendshme të opozitës, megjithatë në çdo rast Berisha nuk e shpëton dot veten e tij nga përgjegjësia e zgjedhjeve për aq kohë sa ai do të jetë në detyrën e kryeministrit. Unë shpresoj që edhe kryetari i Partisë Socialiste të reflektojë”.
Meta e shfrytëzoi këtë rast të ripërsërisë propozimet e kësaj force politike lidhur me procesin e administrimit të zgjedhjeve, si dhe ndarjen e mandateve.
Përsa i takon administrimit Meta u shpreh i hapur për zbatimin e së njëjtës formulë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve sikurse në vitin 2005, 3:3:1, që u njeh të drejtë përfaqësimi gjashtë partive parlamentare.
Ilir Meta: “Por edhe Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kishin nga një përfaqësues dhe jo nga dy si në rastin konkret, gjë që ka ngushtuar në mënyrë krejtësisht të padrejtë bazën e përfaqësimit të forcave politike në procesin e administrimit të zgjedhjeve”./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi