Ministri i Jashtëm Ilir Meta deklaroi, se Rezoluta e Asamblesë së Këshillit të Evropës ishte goditje e fortë për politikën e bojkotit që vijon të zbatojë Partia Socialiste. Meta tha, se në thelb dokumenti i Strasburgut ishte ajo çka mazhoranca me kohë i ka ofruar opozitës, ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për zgjedhjet, ku shumicën ta gëzojë Partia Socialiste dhe objekt i të cilit të mos cenojë kushtetutën. Meta tha, se për këtë çështje edhe qëndrimi i kryetarit të Qeverisë Sali Berisha ka qenë korrekt dhe parimor.

Ilir Meta: “Nuk ka asnjë lloj paragjykimi për cilindo që inicion dialog. Është shumë e rëndësishme që dialogu do të ketë në bazë të këtij respektimin e kushtetutës së vendit dhe kuptohet në kushtet ku z. Rama me kokëfortësi kërkon të vendosë një kërkesë antikushtetuese, kuptohet që ky lloj dialogu as mund të funksionojë dhe as mund të ketë ndonjë rezultat, pra këtu nuk ka ndonjë paragjykim për institucionin e Presidentit, por ka një mosbesim për seriozitetin e z. Rama në përpjekjen për të zgjidhur këtë krizë e cila është kryesisht krizë e opozitës, e cila ka injoruar rregullat e lojës, të cilat i ka firmosur dhe i ka nënshkruar vet dhe natyrisht duket që z.Rama synon që në këtë krizë t’i tërheqi dhe institucionet e tjera të vendit”.

Meta kujtoi se në 2005-n Partia Socialiste dhe Partia Demokartike, rrëzuan kërkesën e LSI, ndonëse të mbështetur në fakte për të hapur kutitë e votimit nisur nga arsyetimi që bëhet edhe sot, që vendimet politike të mos dalin mbi ato të gjykatave. Meta ju përgjigj interesit të medias mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për marrëveshjen e ujërave me Greqinë. Kryediplomati, tha se po pritet zbardhja e vendimit për të mësuar se ku e bazoi gjykata vendimin për rrëzimin e marrëveshjes.

Ilir Meta: “Vendimi nuk diskutohet. Vendimi i gjykatës është tjetër çështje, ashtu sikurse unë si Ministër i Jashtëm i Shqipërisë nuk mund të mbyll sytë dhe nuk mund të hesht, kur element ekstremist e theksoj në politikën shqiptare, që për fat të mire janë pakicë, përpiqen  të helmojnë marrëdhëniet midis dy vendeve dhe midis dy popujve. Ne do të lexojmë me vëmendje argumentet e gjykatës. Mbi bazë të tyre pastaj ne do të japim sqarimet dhe së dyti pa asnjë diskutim që do të shikojmë të gjitha rrugët kushtetuese, ligjore për të ecur përpara. Çështja e kufirit detar me Italinë është e mbyllur. Për ne është prioritet për të mbyllur çështjen dhe me Greqinë dhe me Malin e Zi”.

Të gjitha komentet Ministri i Jashtëm Ilir Meta i bëri pas informimit të medias mbi pjesëmarrjen në Britaninë e Madhe, në një konferencë që synon një dinamikë të re në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në Afganistan./tvklan.al