U mendua se do të ishte përvjetori i 66-të i konferencës së Pezës që do të kriste akullin në marrëdhëniet mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Dy protagonistët e një takimi të mundshëm të mërkurën në mesditë kanë evituar me çdo kusht një shtrëngim duarsh mes tyre, megjithatë në një intervistë për Klan Meta lë të hapur mundësinë e takimit me Ramën.
Ilir Meta: “Po më duhet të konsultohem edhe me kolegët e mi, por edhe me kolegë të tjerë të grupit parlamentar, “E majta për integrim”. Në parim ne kemi qenë edhe jemi gjithmonë të hapur për t’u takuar dhe e kemi ftuar prej kohësh zotin Rama që të shkëputet nga të ashtuquajturat reforma me Berishën, të cilat nuk kanë sjellë gjë tjetër veçse deformime të kushtetutës, të shtetit ligjor, trysninë ndaj drejtësisë”.
Gazetarja: Zoti Meta, çfarë do të zbuste marrëdhëniet mes dy ish-partive aleate, le të themi kështu?
Ilir Meta: “Kushtetuta, reformat zgjedhore mbeten çështjet kryesore dhe së dyti angazhimi i sinqertë për të larguar Berishën tani dhe jo pas dhjetë muajsh kur mund të kenë ndodhur edhe shumë fatkeqësi të tjera.”
Gazetarja: Mund të jetë rast i mirë protesta e ditës së premte?
Ilir Meta: “Mund të jetë një rast i mirë në rast se është vërtet një protestë, e cila synon largimin e Berishës dhe jo thjesht një show mediatik”.
Në Pezë i pari mbërriti kreu i socialistëve, Edi Rama, i cili mori pjesë në takimin e organizuar në këtë përvjetor nga komuna Pezë.
Pak minuta më vonë edhe kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim iu drejtua të njëjtit ambient, por fakti që në sallë ndodhej Rama e bëri Metën të ndërrojë mendje dhe të largohet në pak sekonda.
Rama dhe Meta evituan një tjetër kontakt fizik edhe gjatë rrugës për të vendosur kurora me lule në varrezat e “Dëshmorëve të Kombit” në Pezë.
Në këtë rast si alibi shërbyen gazetarët. Të ndarë në qëndrime mbi çështjet e reformës një ditë përpara takimit të pritshëm mes dy ish-aleatësh Meta dhe Rama reflektuan temperaturën e nxehtë të marrëdhënieve mes tyre, për t’i dhënë ndoshta kohë palëve për t’u rikthyer në termat e hershëm të bashkëpunimit./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi