Ish-Presidenti Ilir Meta ka reaguar në Facebook pas arrestimit mesditën e së hënës me urdhër-arresti të SPAK.

Nga qelia ku ndodhet, në faqen e Metës në Facebook është bërë një reagim zyrtar nga personat që e menaxhojnë, ku shkruhet se nga sot nis një epokë e re në luftën ndaj asaj që e quan “narkoshtet”.

Ilir Meta thotë se arrestimi i tij ishte rrëmbim në mënyrë banditeske.

Kujtojmë se Ilir Meta akuzohet nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Ilir Meta po qëndron në Bllokun e Sigurisë në “Mine Peza” deri kur të dali përpara gjykatës për vlerësimin e arrestimit, që pritet të ndodhë pas 48-72 orë.

Reagimi në Facebook i Ilir Metës:

Falenderoj përzemërsisht të gjithë anëtarët e Partisë së Lirisë për mbështetjen e jashtëzakonshme që më kanë dhënë deri tani.

Po kështu nga sot lufta jonë nis një faqe të re në përballjen pa asnjë kompromis me Narkoshtetin e instaluar brutalisht.

Jam i bindur në fitoren e kauzave tona kombëtare dhe demokratike!

Armiqtë e kombit tonë dhe demokracisë do u ngrijë e qeshura në buzë.

Rrëmbimi im sot në mënyrën më banditeske tregon panikun e regjimit diktatorial nga ballafaqimi me të vërtetat.

Ju siguroj se pas njohjes me vendimin e arrestimit tim ndihem më i fortë se kurrë dhe besoj edhe shumë në pafajësinë time të plotë.

Ndihem krenar që jam rrëmbyer dhunshëm nga antishqiptarët dhe shqipfolësit vetëm për patriotizmin tim dhe mbrojtjen e interesave kombëtare.