Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka shfrytëzuar një takim me qytetarë dhe simpatizantë në qytetin e Lushnjës për të adresuar kritika të ashpra ndaj kryeministrit Berisha dhe kreut socialist, Edi Rama.

Meta ka shënjestruar Ramën për punë të dobëta në bashkinë e Tiranës, ndërsa kryeministrin Berisha për politika të dështuara lidhur me trajtimin e pensionistëve dhe shtresave të varfra.

Ilir Meta: “Qeveria jonë, e cila shpenzon para pafund për gjëra krejtësisht të panevojshme, injoron 380 mijë pensionistë. Fatura për këtë ligj ishte vetëm 60 milion dollarë. Asgjë për të ndihmuar, për të mbështetur 380 mijë pensionistë që kanë sakrifikuar gjithë jetën e tyre dhe që tani në fund të kësaj jete plot sakrifica nuk ndjejnë aspak kujdesin, vëmendjen dhe mirënjohjen e shtetit dhe të shoqërisë”.

Më tej në fjalën e tij kryetari i LSI-së u shpreh se Lushnja dhe zona të tjera me kapacitet të madh në prodhimin bujqësor janë një potencial i pashfrytëzuar i ekonomisë së vendit që nëse do të kenë mbështetjen e duhur nga qeveria do të ndjejnë një përmirësim të ndjeshëm në jetën e tyre./tvklan.al