Ilir Proda është përzgjedhur nga Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, si pasardhësi i Muhamet Rrumbullakut, në krye të Policisë së Shtetit. Emri i Prodës i është dërguar Këshillit të Ministrave dhe pritet të firmoset nga Kryeministri Edi Rama.
Përzgjedhja e emrit të drejtorit aktual të Policisë së Elbasanit, u bë me dije nga vetë Ministri i Brendshëm, i cili publikoi dhe listën me 5 nga 11 kandidatët në garë të vlerësuar me pikët më të larta nga Komisioni i Posaçëm i ngritur për këtë çështje.
Ilir Proda është prej vitesh pjesë e radhëve të policisë. Në vitin 2002 ai nisi studimet në Akademinë e Sigurisë, deri në vitin 2005, kohë kur u emërua specialist pranë Komisariatit 3 në Tiranë, ku qëndroi për 6 vite. Më pas karriera e tij ka vijuar në disa komisariate, struktura hetimore dhe disa drejtori qarqesh.
Në to ka shërbyer si specialist, shef komisariati apo zëvendësdrejtor. Pozicion që e ka mbajtur deri në Mars të 2023, kur u emërua në krye të Policisë së Elbasanit. Kjo ishte hera e parë pas ndryshimeve ligjore që kreu i Policisë së Shtetit u zgjodh me garë të hapur.
Tv Klan