Rusia dhe Algjeria shkëmbyen grushte diplomatikë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, pasi diplomati rus, Dmitry Polyanskiy hapi debatin për boksierët që nuk kanë kaluar testin e përshtatshmërisë gjinore. Njëra prej tyre është algjeriania Imane Khelif.
“Në Lojërat Olimpike në Paris, boksieret femra po i nënshtrohen publikisht dhunës nga atletet që kishin dështuar më parë në testet hormonale të bëra nga Federata Ndërkombëtare e Boksit. Kjo është absolutisht e neveritshme”, tha Dmitry Polyanskiy, Zv/Ambasador i Rusisë në OKB.
Ndërhyrja e tij erdhi pasi IBA që për president nderi ka Vladimir Putin mori vendimin për të shpërblyer Angela Carini, e cila la në mes duelin me Khelif. Diplomati algjerian, Toufik Koudri kundërshtoi me forcë vërejtjet e Polyanskiy.
“Boksierja e guximshme zonjusha Imane Khelif ka lindur femër. Ajo ka jetuar fëmijërinë, edukimin dhe vitet e adoleshencës si femër. Ajo e praktikon sportin si femër. Nuk ka asnjë pikë dyshimi për këtë çështje, përveç atyre që kanë një axhendë të paqartë politike”, tha Toufik Koudri, diplomat i Algjerisë.
Këto përplasje verbale ndodhën në një seancë ku u diskutua për çështjet e grave, sigurinë dhe paqen.
Tv Klan