Kryeprokurorja dhe shefi i shërbimit informativ shtetëror kanë dhënë mesazhe të qarta se lufta e krimit të organizuar ekonomik në sferat më të larta shtetërore mbetet puna parësore e dy institucioneve, prokurori dhe SHIK.

Dilema për një pavarësi të kushtëzuar të organit qendror të akuzës mbi zbardhjen e çështjeve të mëdha duket se është zgjidhur dhe me hapjen e njësisë “task force”, i ngritur me vullnetin dhe financimin e ambasadës amerikane në Tiranë.

Ina Rama: “Janë fenomene që kanë filluar të ndodhin në kohët e fundit. Nuk kemi shumë prokurorë të profilizuar në drejtim të hetimit të këtyre fenomeneve, nuk kemi shumë oficerë të profilizuar në këtë drejtim”.

Mbi 140 procedime penale për korrupsion janë pjesë e hetimit të kësaj njësie që prej një viti.

Arrestimeve të bujshme të policisë së shtetit mbi zyrtarë të korruptuar i faturohen dënimet minimale të gjykatës.

Genti Strazimiri: “Bashkëpunimi midis policisë duhet të jetë edhe më i ngushtë në mënyrë që rastet që shkojnë në gjykatë të mos kenë natyrisht asnjë arsye pse të fillojnë si procedim për një vepër penale që parashikon dënime më të ashpra dhe të përfundojnë në një nivel më të ulët”.

Sipas të dhënave zyrtare deri tani në proces hetimi për vepra korruptive janë regjistruar 66 procedime penale, por ajo që bën diferencën është falsifikimi.

Altin Dumani: “Nga përdorimi i këtyre dokumenteve të falsifikuara arrihet të regjistrohen dhe të vidhen pasuri, të ngjallen të vdekur dhe të vdesin të gjallë, të sigurojnë kredi në bankë, të drejtojnë automjetet, të marrin dëshmi drejtimi, etj”./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani