U inaugurua ditën e sotme baza taktike e NATO-s në Kuçovë. Me këtë rast atje u mbajt një ceremoni e veçantë.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, tha se baza e Kuçovës është një prej investimeve më madhore të NATO-s në Shqipëri.
“Sot deklarojmë zyrtarisht rihapjen e bazës ajrore të Kuçovës që përbën një prej investimeve më madhore të NATO-s në Shqipëri dhe do të shërbejë si bazë ajrore taktike dhe operacionale”, tha Peleshi.
Ministri theksoi ndër të tjera se një vend i vogël si Shqipëria ka nderin dhe privilegjin që t’i ofrojë aleancës këtë aset të vyer për mbrojtjen kolektive.
Ai u shpreh se Kuçova do të shërbejë si baza kryesore për forcat ajrore të Shqipërisë, duke theksuar se qeveria do të ketë vëmendjen dhe investimin deri në krijimin e një flote dinjitoze. Peleshi nënvizoi ndër të tjera se helikopterët Blackhawk dhe dronët Bayraktar janë në gatishmëri për t’u ngritur në fluturim nga kjo bazë.
Peleshi theksoi se baza ka kapacitetin e nevojshëm edhe për të mbështetur përpjekjet e përbashkëta në rajon për fatkeqësitë natyrore.
“Pozicioni gjeografik i favorshëm mund ta kthejë këtë vend në një nyje lidhëse të vlefshme për të gjithë vendet e rajonit tonë. Në këtë kontekst ndihma dhe mbështetja që Shqipëria mund të japë për vendet fqinje na bën të ndihemi më të vlefshëm se kurrë më parë, por edhe më të përkushtuar se kurrë më parë për të qenë në lartësinë e duhur përballë çdo situate”, tha Peleshi.
Ndër të tjera ai kërkoi mbështetjen e vendeve aleate në përpjekjet e Shqipërisë për ta vendosur në përdorim të NATO-s edhe përdorimin ushtarak të Porto Romanos.
“Në këtë logjikë baza që inaugurojmë sot është një aset për të gjithë rajonin. Shqipëria do të vijojë përpjekjet e saj për të vendosur në përdorim të NATO-s edhe përdorimin ushtarak të Porto Romanos, që sëbashku me korridorin strategjik VIII i siguron aleancës sonë aksin më të shkurtër të kalimit nga brigjet e Adriatikut në Detin e Zi. Shpresoj të kemi mbështetjen e vendeve aleate dhe mike në këtë projekt madhor”, tha Peleshi./tvklan.al