SHBA dhe BE: Aktorët të mos vonojnë ngritjen e SPAK
3-vjetori i Reformës në Drejtësi përkoi me inaugurimin e godinës ku do të vendosen institucionet e drejtësisë. E ngarkuara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara Leyla Moses-Ones, teksa vlerësoi konsensusin e 3-viteve më parë u ktheu përgjigjeve zërave që kanë hedhur dyshime mbi procesin e vetingut, i cili sipas saj ka nxjerrë jashtë sistemit një numër të madh gjyqtarësh të korruptuar.
“Tani mbi 15% e prokurorëve dhe gjyqtarëve janë rivlerësuar. Disa kanë kaluar rivlerësimin dhe shumë kanë dështuar. Kjo përfshin gjyqtarët në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese. Disa thonë se ky është një problem, por ne besojmë që kjo tregon që rivlerësimi po funksionon”.
Ones garantoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në këtë fazë kyçe të reformës, ku pritet që institucionet e reja të çojnë para drejtësisë zyrtarë e politikanë të korruptuar.
Ndërsa Shefja e ONM-s, Genoveva Ruiz Calavera, kërkoi që ecuria e procesit të vijojë me ritme të shpejta në mënyrë që Shqipëria të mos humbasë shansin historik për të çelur derën e Bashkimit Europian.
“I bëjmë thirrje aktorëve në këtë proces që të marrin përgjegjësit e tyre pa vonesa. Proverba thotë se Roma nuk është ndërtuar në një ditë, kështu që një reformë e tillë nuk mund të bëhet në një ditë, por do vite dhe integritet. Po ashtu të gjitha institucionet kanë një mundësi dhe shans historik. Është një mundësi, pasi do të jenë brezat e ardhshëm që do të na gjykojnë, është një mundësi për të çelur derën për në BE”.
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj tha se qeveria nuk është kursyer për të mbështetur Reformën në Drejtësi. Në fund të ceremonisë u bë edhe betimi i magjistratëve të rinj që do të bëhen pjesë e sistemit të drejtësisë. Në godinën e re të ndërtuar pranë ish-Fushës së Aviacionit do të vendosen fillimisht administrata e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Tv Klan