Në ditën ndërkombëtare të fëmijëve, fondacioni “Fëmijët shqiptarë” Domenick Scaglione i drejtuar nga Liri Berisha  ka bërë të lumtur me dhjetëra fëmijë autik, duke çelur të parën qendër për ta në Shqipëri, qendër e pagëzuar me emrin “Fluturo për jetën”. Në inaugurimin e kësaj qendre mjaft të rëndësishme, për fëmijët autik dhe prindërit e tyre ishte i pranishëm edhe kryeministri Sali Berisha, i cili falënderoi të gjithë ata që kthyen në vëmendje këtë problem të harruar nga shoqëria.

Sali Berisha: “Dua të shfrytëzoj rastin të përgëzoj dhe të falënderoj shumë presidentin e fondacionit “Fëmijët shqiptar” dhe të gjithë bashkëpunëtorët të këtij formacioni që ia arritën të përqendrohen fatkeqësisht për ne në një problem të harruar, të injoruar. Them e pafalshme, harresa e shoqërisë në tërësi, fondacioni e solli në qendër të vëmendjes një problem në të cilin sa më shumë të vështrosh dhe ta trajtosh aq më të gjera i gjen përmasat e tij.”

Kryeministri Berisha, u shpreh se çelja e një qendre për fëmijët autik, dhe nevoja e tyre për ndihmë ka qenë një nga temat e bisedës më të shpeshta me bashkëshorten e tij, presidenten e fondacionit “Fëmijët shqiptarë.”

Sali Berisha: “Dy vjet më parë, gjatë këtyre dy viteve të fundit në bisedat tona familjare kjo ka qenë një temë e përditshme. Si një mjek që kam rreth 20 vjet i larguar nga profesioni im, të jem i sinqertë me ju ishte ligji që udhëhiqte këtë herë. Jam shumë mirënjohës se edhe tek unë e ridimensionoi në mënyrë shumë të ndjeshme këtë problem.”

Qendra  “Fluturo për jetën” e ngritur nga fondacioni “Fëmijët shqiptarë”, do t’u vijë në ndihmë fëmijëve autik, por edhe atyre në vështirësi, vetë presidentja  e këtij fondacioni u shpreh se kjo qendër është një premtim i mbajtur.

Liri Berisha: “Nuk kanë kaluar as 9 muaj nga konferenca ndërkombëtare e autizmit, ku fondacioni “Fëmijët shqiptarë” premtoi për ngritjen e një qendre kombëtare të zhvillimit të fëmijëve. Kjo qendër na ka gëzuar të gjithëve, jo vetëm se u bë shpejt, jo vetëm se është e bukur, jo vetëm se do jetë funksionale për ata fëmijë, por mbi të gjitha është një qendër që do japi një rreze shprese, një rreze drite për ata prindër që janë të mbërthyer nga dëshpërimi.”

Një ndihmë për hapjen e kësaj qendre ka dhënë edhe profesori Xhovani Bokioti, i cili ishte i pranishëm në inaugurimin e saj. Po ashtu e pranishme ishte edhe ministrja e shëndetësisë Anila Godo./tvklan.alGazetare: Brunilda Cami