Gjykata e Posaçme gjeti fajtor për përfshirje në korrupsion dhe dënoi me 4 vite burg ish sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako lidhur me koncesionin për inceneratorin e Tiranës.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar ai përfitoi ulje të dënimit në 2 vite e 8 muaj heqje lirie. Gjithashtu treshja e gjyqtarëve të posaçëm i hoqi të drejtën ish deputetit të PS, të mbajë funksione publike për 5 vite.
SPAK akuzoi Alqi Bllakon se gjatë procedurave të koncensionit të inceneratorit të Tiranës, u përfshi në 2 raste në korrupsion. Sipas prokurorisë hetimet treguan se Klodian Zoto kishte dhënë në dy episode para dhe të mira materiale në favor të Bllakos.
Njëra për blerjen e një pajisje për biznesin e babait të tij, ndërsa tjetra për shlyerjen e pagesës për një punonjës të Ministrisë së Mjedisit, në mënyrë që ai të vijonte punën në shtet dhe të ishte ndihmues në procedurat koncensionare.
Për dosjen e inceneratorit të Tiranës, në gjyq në një proces më vete po gjykohen edhe 11 ish-zyrtarë të tjerë, mes tyre ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, me dyshimet se kanë shpërdoruar detyrën.
Ndërkohë vijojnë në arrati 8 persona të tjerë mes të cilëve dhe dy biznesmenët Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto.
Tv Klan