Kandidati i AAK-së për kryetar të Mitrovicës, Hysni Ahmeti, është sulmuar me armë zjarri të enjten në mbrëmje në afërsi të varrezave ortodokse në këtë qytet, derisa po udhëtonte me makinën e tij.
“Policia ka dalë në vend të ngjarjes dhe ka konstatuar se besohet që me tepër se një plumb i shkrepur nga persona ende të panjohur kanë goditur automjetin e zotëri Ahmetit, por fatmirësisht i njëjti nuk ka pësuar lëndime.”
Ahmeti tha se nuk e di kush mund të qëndrojë prapa këtij sulmi.
“Kanë ndodh të shtëna nga valë të gjata që e kanë goditur automjetin që e vozitja. Unë kam qenë vetëm, kështu që nuk kam ndalur. E kam vazhduar rrugën deri në një vend me ndriçim dhe aty kam ndalur dhe kam marrë policinë.”
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, erdhi në Mitrovicë për të vizituar Ahmetin. Ai e quajti këtë një akt kriminal.
Ramush Haradinaj: “Do të thotë është akt kriminal tipik edhe si i këtillë realisht kërkon prej organeve të rendit të drejtësisë ata që e kanë kryer këtë akt ose ndoshta ka të tillë që janë meritorë pse ndodhin akte të tilla. Mund të ndodhin prapa grilave…”.
Haradinaj tha se nuk beson se ky rast ka ndonjë lidhje me sulmin e një nate më parë te eskortës së kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi, në Deçan.
Ramush Haradinaj: “Nuk guxoj me spekulu gjë, nuk është mirë për ne, as për të djeshmen që ka ndodh. Do të thotë unë mendoj se drejtësia ka me e shpjegu çka ka ndodh në të vërtet. A ka qenë një sulm, a ka qenë dhunë e përdorur apo diçka tjetër? Ndërsa kjo e sotmja sikurse e shihni është pak dukshëm më tragjike, është tentu me u marr jeta e dikujt realisht”.
Ky sulm është incidenti i dytë i rëndë i fushatës zgjedhore dhe vjen vetëm një ditë pas atij që ndodhi në Deçan./tvklan.al