Fatmirësisht është mbyllur pa të lënduar incidenti i rrëzimit të tavanit në njërën prej klasave të gjimnazit “Sami Frashëri” dhe kjo vetëm për faktin se në momentin e rrëzimit në klasë nuk kishte nxënës, por kjo situatë ka çuar në pezullimin e mësimit në këtë gjimnaz, për shkak se prindërit i kanë paraqitur shqetësimin e tyre drejtorisë për kushtet e sigurisë dhe mjaft prej tyre kanë refuzuar të dërgojnë fëmijët në shkollë.
Jovan Kristiqi: “Realisht sot unë nuk po bëj shkollë dhe jam në pritje të komisionit që do të vijnë nga këto ekspertët për të parë gjendjen e shkollës derisa këto ekspertë të më japin sigurinë e zhvillimit normal të mësimit.”
Drejtori Kristiqi shprehet i shqetësuar pasi siç thotë edhe vetë duhet të ndodhë ndonjë tragjedi që strukturat përgjegjëse të vihen në lëvizje.
Problemi i ndërtimeve pa cilësi në shkollat e vendit është trajtuar shumë herë në kronikat e televizionit Klan.
Para disa ditësh janë denoncuar aksidente të ngjashme me atë të ndodhur në gjimnazin “Sami Frashëri” edhe në qytetin e Vlorës dhe Lezhës. Hera e fundit kur shkolla e mesme “Sami Frashëri” është rikonstruktuar ka qenë në vitin 2004./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle