Viti i ri shkollor nuk ka filluar i mbarë për nxënësit e të gjitha shkollave në vend.

Mësues dhe nxënës të shkollës 9-vjeçare, “4 Dëshmorët” në Lushnje kanë pezulluar mësimin dhe zhvilluar një grevë një orëshe.

Shkak i protestës sipas tyre është infrastruktura e shkatërruar dhe kushtet e papërshtatshme për procesin mësimor.

Natasha Ziu: “Kërkojmë kushtet më minimale, që s’ka dritare, dyer, banka, shiko karriget që nuk ka karrige dhe që pikon çdo gjë ça pikon jashtë bie brenda”.

Në shkollën 9-vjeçare në Shënavlash në Durrës mungojnë bankat e stolat për shkak të moszhvillimit të tenderit për pajisjen me bazë materiale.

Bajram Gaçi: “Ajo që neve e prisnim që duhet të fillonim komplet shkollën me një turn këtë nuk e arritëm dot mbasi tenderi i tavolinave ende nuk është kryer dhe sipas vendimit të ministrisë mendohet që nga fundi i muajit Tetor ato të plotësohen.”

Nga 27 klasa të kësaj shkolle vetëm 13 prej tyre kanë tavolina dhe karrige. Për këtë arsye mësimi do të zhvillohet me dy turne.

Në fakt këto janë ndër të paktat shkolla që këtë vit e nisin me probleme. Një vit më parë numri i atyre që nuk ishin gati për nisjen e vitit shkollor ishte disa herë më i lartë./tvklan.al