Këto pamje që jeni duke ndjekur i përkasin shkollës 9-vjeçare, “Koto Hoxhiu” në qytetin e Gjirokastrës.

Vetëm pak ditë nga fillimi i vitit të ri shkollor ambientet ku do qëndrojnë 1 mijë nxënës janë jashtë çdo norme të higjienës.

Sipas drejtorit Arben Rexha kjo shkollë rrezikon të mos hapet këtë vit akademik pasi mungojnë dhe gjërat më elementare, si uji apo bankat dhe karriget në klasa.

Në disa kabinete mund të gjesh edhe kafshë të ngordhura, si minj apo mace.

Arben Rexha: “Po të shikosh higjienën nëpër klasa përsëri lë për të dëshiruar. Nuk ka banka, nuk ka karrige, nuk ka dyer, nuk ka xhama. Kushtet higjieno-sanitare në këtë shkollë janë skandaloze. Po të vesh poshtë në labirintet e katit nëndhes mund të gjesh minj e mace të ngordhura nga të gjitha anët. Nuk e di se çfarë bën pushteti lokal për fillimin e vitit të ri shkollor. Nuk po ndihet fare që do fillojë viti i ri shkollor. Duhet të ketë ujë 24 orë. Këtu s’ka as 24 sekonda ujë”.

“Koto Hoxhiu” është shkolla 9-vjeçare më e madhe përsa i përket numrit të nxënësve në qytetin e Gjirokastrës./tvklan.al