Të gjitha subjektet tregtare që do të kryejnë procedurat doganore nëpërmjet Doganës së Durrësit tashmë do të fitojnë kohë duke shmangur vonesat nëpër zyrat e shërbimit doganor. Pas kompjuterizimit të këtij shërbimi në doganën e kryeqytetit sot janë instaluar aparaturat për informatizimin e Doganës së Durrësit. Me anë të këtij pojekti të financuar nga Bashkimi Evropian me një vlerë totale për gjithë sistemin doganor prej 2.5 milionë dollarë, veç përmirësimit të imazhit profesional e përshpejtimit të shërbimit ndaj biznesit pritet një minimizim i mëtejshëm i evazionit fiskal e kontrabandës.
Arben Malaj: “Do të theksoja që vonesat në modernizimin e administratës doganore kanë një impakt negativ, sigurisht nuk mund të flasim me shifra konkrete, por mund të flasim me argumentin që modernizimi ëshhtë ai që nxit më tepër edhe zhvillimin e vendit, rrit edhe eficencën e administratës doganore.”
Të pranishëm në demostrimin e sistemit të sapoinstaluar në Durrës ishin dhe drejtori i përgjithshëm i doganave Shpëtim Idrizi e Giulio Planera drejtori i “CAM Albania”-s si dhe përfaqësues të zyrës së FMN-së në Shqipëri. Brenda vitit 2004 pritet që rrjeti informatik të instalohet edhe në pikat doganore të Qafë Thanës, Kakavijës, Kapshticës, Vlorës e Rinasit. /tvklan.al