Institucionet kosovare kanë kundërshtuar planin austriak për Kosovën me arsyetimin se ai mund të krijojë probleme të tjera, në veçanti kur bëhet fjalë për decentralizimin e pushtetit. Sipas përfaqësuesve shqiptarë të institucioneve të Kosovës, ka dy elemente të planit që nuk përputhen me realitetin e krujuar në Kosovë: së pari çështja e shtyrjes së bisedimeve për të ardhmen e saj dhe, së dyti ofrimi i një autonomie më të madhe për pakicat në Kosovë.

Zyra e kryeministrit Bajram Rexhepi e ka cilësuar pjesërisht pozitiv planin, në veçanti pjesët kur flitet për fuqizimin e institucioneve vendore dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës. Zëdhënësja Mimoza Kusari thotë se shtyrja e zgjidhjes së statusit përfundimtar nuk është në përputhje me realitetin e krijuar, por kundërshtimi më i fuqishëm ndaj planit austriak është bërë nga këshilltari politik i kryetarit të Kuvendit të Kosovës Ramush Tahiri i cili ka pohuar se plani në versionin e dhënë shkakton mjaft probleme. Sipas tij, vendbanimi i pakicave në Kosovë është i përzier dhe mbi këtë bazë nuk mund të krijohen enklava të reja apo autonomi politiko-territoriale të cilat do të lidheshin në nivelin kosovar ashtu si Belgjika apo Zvicra.

Nga ana tjetër plani i Vienës u përshëndet nga përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri Javier Solana. Gjatë takimit të djeshëm të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së Solana ka kritikuar miratimin e ndryshimeve të kornizës kushtetuese nga Parlamenti i Kosovës. /tvklan.al