Drejtori i Institutit të Ndërtimit: Meqë ato pretendojnë që unë kam interesa brenda, meqë kam motrën time…
Për problemin e banorëve të pallatit 2-katësh nënjësinënumër 3, iu drejtuam Institutit të Ndërtimit, konkretisht drejtorit Agron Hysenlliu.
Ky i fundit u shpreh, se për këtë rast është bërë një akt-konstatimi dhe pallati është i pabanueshëm sepse është i vjetër dhe një tërmet 8 ballë e shemb fare.
Kur Hysenlliu përballet me vlerësimin e ekspertes private, ai thotë, se ajo mund të ketë të drejtë, por duhet ta argumentojë në Institutin e Ndërtimit.
Mes dy vlerësimeve dhe hallit të banorëve, Hysenlliu thotë se heq dorë nga ky rast, pasi ka konflikt interesi, për shkak se motra e tij banon në këtë objekt.
Drejtori Agron Hysenlliu: Ai objekt është një objekt, që është ndërtuar në ’63-in, është me dy pëllëmbë themele. Ka dy shtesa anësore, ka çarje! Banorët e kanë çarë, sepse është motra ime aty brenda, prandaj kanë ardh ato tek juve. Mendojnë, se po e prish unë! Inxhinierët, që kanë vajt, unë s’kam vajt vetë, kanë konstatuar, që ky objekt mund të rrezikohet. Kanë nxjerrë një akt-konstatimi, e nxjerrin objektin të rrezikshëm!
Banori: Nuk është e vërtetë, nuk kemi asnjë lloj akt konstatimi, përvec dokumentave bonus, dhe DS5.
Drejtori Agron Hysenlliu: Unë kam çuar njerëzit atje dhe ato janë zënë atje, janë therur me njerëzit e mi.
Banori: Nuk është e vërtetë. Ata janë futur brenda, kemi edhe video.
Drejtori Agron Hysenlliu: Motra ime ka ikur nga shtëpia, s’është atje, sepse ka frikë të rrijë, sepse i kam thënë mos rri!
Banori: Nuk është e vërtetë, motra e drejtorit të Institutit, Agron Hysenlliu, ka ikur me datë 1 Qershor.
Drejtori Agron Hysenlliu: Meqë ato pretendojnë që unë kam interesa brenda, meqë kam motrën time, që për mua s’është interes fare, se unë po të isha mjek, nuk do ta lija motrën time të vdiste. Do ta operoja vetë! A ma kupton logjikën? Atëherë, unë kam…i kam thënë Bashkisë së Tiranës, unë me këtë rast nuk do merrem, do merreni ju! Thonë, ky është “daja” i pallatit! Do me na prish pallatin, do me na nxjerr jashtë, sepse interesi nuk është, që të prishet pallati, por interesi është, se këta nuk përfitojnë 100 m2 sa kanë, por përfitojnë 90 nga rindërtimi.
Duke qenë se për këtë rast kishte dy konkluzione të ndryshme, pra akti i konstatimit e nxjerr pallatin të pabanueshëm dhe të rrezikshëm, ndërkohë, akti i ekspertizës të banueshëm, atëherë pikat mbi i i vendos ekspertiza e thelluar që do të bëhet kësaj radhe nga bashkia e Tiranës.
Gazetarja: Akti i konstatimit që Instituti i Ndërtimit ka konstatuar si e ka nxjerrë pallatin 218/1, të banueshëm apo të pabanueshëm?
Drejtori Agron Hysenlliu: I pabanueshëm dhe i rrezikshëm!
Gazetarja: Në dorë kam një akt ekspertize nga Irma Sula, eksperte private e licencuar, e cila këtë apartament e nxjerr: Apartamentet, objekti atje, akti i ekspertimit, janë të banueshme. Është e banueshme! Zoti Agron…
Drejtori Agron Hysenlliu: Po!
Gazetarja: Ekspertiza private, duke qenë se janë të licencuar edhe ekspertët privatë, a mund të merren për bazë? Duke qenë se kjo zonja, Irma Sula e ka nxjerrë të banueshëm pallatin?
Drejtori Agron Hysenlliu: Po, po, po! Po patjetër, por ekspertja private, që është në konflikt prapë, prandaj ia kam lënë Bashkisë së Tiranës, duhet të vijë pranë Institutit të Ndërtimit, të më tregojë mua, se sa e ka modulin e intensitetit çdo objekt në përplasje dhe si tek qysh ndodh. Ka këtu brenda Institutit të Ndërtimit një Komitet Teknik, ku tregon ekspertizën. Është bërë modelimi? Në ç’performancë është objekti dhe në qoftë se objekti është për ta mbajtur dhe në rregull, mund të riparohet? Sa janë kostot e këtij riparimi? Në qoftë se janë mbi 60% kosto minimale fiskale, atëherë objektit i thuhet “stop”, do prishet, sepse do të ndërtohet e re, sepse me këtë kosto ne e bëjmë të re. Bashkia e Tiranës, sipas VKM-së, e ka për detyrë të bëjë tendera përkatëse, për të marrë laboratorët përkatës. Në VKM-në ka dalë, që është Instituti, por është edhe Bashkia e Tiranës, kështu që të merren me Bashkinë e Tiranës, dhe unë në këtë moment, në atë lloj objekti, nuk kam punë! Po tërhiqem unë, të vazhdojë Bashkia ta bëjë! /tvklan.al