Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Komisioneri europian për marrëdhëniet me jashtë Chris Patten, në një deklaratë dhënë nga zyra e tij në Bruksel, pikërisht në ditën e publikimit të raporteve për vendet që aspirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Europian, është ndalur edhe tek Shqipëria.
Më vjen keq, tha ai, që raporti i këtij viti është shumë i ngjashëm me atë të vitit të kaluar dhe atë të vitit para të shkuarit. Shqipëria thotë, që Europa është prioritet kryesor për të, por veprat nuk u përgjigjen fjalëve. Reformat reale për të nxitur një përparim thelbësor janë thuajse të pamjaftueshme. Sipas tij, Shqipëria nuk do të ecë përpara drejt Europës nëse nuk lufton krimin e organizuar, dhe korrupsionin, me vendosmëri të vërtetë politike.
Një tjetër prioritet i rëndësishëm për Shqipërinë ka deklaruar ai është reforma në administratën publike të vendit. Sipas komisionerit Patten, nuk mjaftohen vetëm të bëhen marrëveshje me BE-në, makineria e qeverisë duhet të jetë në gjendje t’i kthejë premtimet në realitet.
Chris Patten: “Ne e kuptojmë se ka pasur një llojë progresi gjatë vitit të fundit në Shqipëri, si psh. privatizimi i një banke kryesore. Shqipëria ka luajtur një rol konstruktiv në trajtimin e problemeve të rajonit dhe situata makroekonomike është mjaft e qëndrueshme, por kam frikë se disa nga problemet që kemi pasur në të kaluarën janë ende prezentë në mënyrë të dukshme. Nuk ka dyshim që legjislacioni është miratuar, por ne kemi dyshim për kapacitetet zbatuese, por mbi të gjitha kemi probleme serioze për krimin e organizuar dhe korrupsionin. Ne kemi shpenzuar shumë kohë dhe kemi diskutuar mbi këto probleme. Kemi diskutuar për to edhe në Selanik, në takimin e vitit të kaluar. Shpresojmë që miqtë tanë shqiptarë të kuptojnë se ne kemi shqetësime legjitime për këto çështje dhe shpresojë që ata do të merren me to në mënyrë më efektive. Që kur jam bërë komisioner, kemi shpenzuar mbi 200 milion euro dhe shpresoj se efektiviteti i saj do të vijë në rritje. Ne po ndihmojmë Shqipërinë që të zhvillojë kapacitetet e saj institucionale dhe shpresoj që Shqipëria të ketë shërbimin doganor dhe policor që i nevojitet për të luftuar kundër korrupsionit, trafikimit dhe kontrabandës. Unë besoj se Shqipëria do të përdorë në mënyrë më të mirë investimin e bërë në procesin e reformave”./tvklan.al
Gazetare – Danjela Kostandini