Gazetari: “Zoti kryeministër në radhë të parë ju falënderoj që pranuat këtë ftesë për intervistë për televizionin Klan Kosova. Ju javët e fundit keni pasur takime me përfaqësues të ndryshëm të politikës kosovare nga AAK-ja, LDK-ja, PDK-ja. Cili është raporti juaj me faktorin politik në Kosovë?”

Sali Berisha: “Raporti im me faktorin politik në Kosovë është i shkëlqyer. Unë kam marrëdhëniet më të mira, më vëllazërore, si me koalicionin qeveritar, ashtu dhe me opozitën dhe jam i bindur se ky rregull funksionon dhe duhet të funksionojë edhe për autoritetet zyrtare në aspektin politik të Kosovës. Në të gjithë qëndrimet tona unë gjykoj se ne nuk duhet të bëjmë dallime përsa i përket përkatësive partiake. Në këtë kontekst unë kam inauguruar tunelin me kryeministrin e Kosovës, zotin Hashim Thaçi dhe gëzimi ynë atë ditë ka qenë i papërshkruar për atë moment, gjë e cila përbënte një simbolikë jashtëzakonisht të rëndësishme për kombin. Marrëdhëniet e mia me zotin Thaçin janë të shkëlqyera dhe ajo që unë duhet të shpreh këtu në projektin e interesit kombëtar, sepse interesi kombëtar gjithmonë është interesi i parë dhe interesi kombëtar i yni pas realizimeve të gjërave më të mëdha siç është pavarësia e Kosovës, Shqipëria në NATO ka projektin e vet për t’u realizuar dhe ky projekt konsiston në bashkimin e kombit shqiptar, në zhdukjen e pasojave të ndarjeve të padrejtësisë ndër më të mëdhatë që Evropa ka njohur ndarjes së tij. Në këtë kontekst se sapo e them këtë fjalë ndodh që edhe njerëz që janë afër meje rrinë dhe shohin njëri-tjetrin se çfarë ka ndërmend ky. Po, kam ndërmend që shqiptarë në Shqipëri, në Kosovë dhe kudo që të ndodhen në trojet e tyre të ndjehen njëlloj dhe kam bindjen se zoti Thaçi ka të njëjtin përcaktim, sepse ky është një detyrim madhor. Ne do të punojmë sapo qeveria të krijohet me një vendosmëri të madhe që të zhdukim të gjitha dallimet që mundojnë qytetarët shqiptarë kur vijnë në Shqipëri të Kosovës, ose të çdo nacionaliteti. Mundojnë qytetarët shqiptarë kur shkojnë në Kosovë për shkak të dallimeve. Ne nuk mund të injorojmë se një shekull ndarje nuk ka patur pasojat e veta. Në këtë kontekst me zotin Thaçi ne kemi një projekt të mrekullueshëm dhe ky projekt është që t’i bëjë shqiptarët të ndjehen, se në shpirt ata e ndjejnë, por ta ndjejnë në çdo gjë. Unë fola më parë për pikat kufitare, për Morinën, Qafën e Morinës dhe ku ka ndonjë tjetër, Qafa e Prushit dhe mbetet tani e Dragashi. Le të më thotë mua kush pse duhet të jenë ato? Pse ti mund të kalosh nga Strasburgu në Këln pa dhe nuk sheh asnjë polic? Nuk sheh asnjë doganier, nuk sheh asgjë…”/tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro