Damir Fazlliç, njeriu nën akuzën e medias shqiptare dhe politikës në opozitë është rrëfyer për mbi një orë në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu.
Një përballje me të gjitha aludimet që shpërthyen menjëherë pas ndalimit të tij nga policia boshnjake, një zbardhje e plotë dhe me detaje e marrëdhënieve të Fazlliç me kryeministrin Berisha, raportet me Argita Berishën, anëtarë të kabinetit qeveritar.
Biznesmeni boshnjak, vetëm 33 vjeç që disponon një pasuri prej 50 milion eurosh, ka kaluar në skanerin e emisionit “Opinion”.
Blendi Fevziu: “33 vjeç dhe kaq i pasur”.
Damir Fazlliç: “Unë kam ndjekur tre shkollat më të mira të botës në fushën e shkencave politike dhe ekonomike. Kam ndjekur shkollën “Harold” për djemtë, pastaj studiova për shkenca politike dhe ekonomi në Londër dhe më vonë ndoqa për ca kohë universitetin shtetëror “JFK” të Harvardit. Në Angli kam studiuar vetëm dy vjet, pastaj fillova punë. Kam studiuar aty ku studioi Xhorxh Sorosi dhe përfundova brenda të njëjtit afat”.
Blendi Fevziu: “Zoti Fazlliç ju po ia shisni kompaninë tuaj vetes suaj. Duket sheshit që ky është një pastrim i hapur parash”.
Damir Fazlliç: “Në asnjë mënyrë. Më lejoni t’i rikthehem zhvillimit të ngjarjeve. 1.7 milion euro ishte një vlerë…”.
Blendi Fevziu: “Për një kompani që zotëron vetëm 1 mijë dollarë kapital gjithë kjo shifër?”
Damir Fazlliç: “Jo. Unë ju ftoj juve dhe çdo gazetar tjetër të shkoni në zyrën e taksave dhe të verifikoni se çfarë zotëron kjo kompani në aspektin e pasurive të patundshme dhe ju do të shihni se ato bilance pasurore pasqyrojnë me saktësi vlerën e shitjes prej 1.7 milion eurosh te kompania ime për zhvillimin e tokës.”
Takimi i parë Fazlliç-Berisha asokohe kryetar i Partisë Demokratike në opozitë do ndodhte në vitin 2004. Njeriu u apasionuar pas politikës do të fliste me të siç dhe konfirmoi vetëm për politikë.
Blendi Fevziu: “Biseda juaj e parë me zotin Berisha ishte për politikë apo për biznes?”
Damir Fazlliç: “Unë nuk kam biseduar kurrë për biznes me Sali Berishën dhe merreni si të mirqenë dhe mos më pyesni më në jam i sigurt kur ai ishte në opozitë.”
Ndalimi i Fazlliç nga policia boshnjake në Shqipëri u komentua si arrestimi i tij nën akuzën e shantazhit financiar, një moment që Fazlliç e sqaroi duke rrëfyer se në fakt këtë të enjte në Sarajevë në restorantin që po drekonte policia arrestoi një tjetër person.
Blendi Fevziu: “Ç’domethënë nuk u arrestuat, por vetëm u shoqëruat?”
Damir Fazlliç: “Sepse ishim ulur pranë tij”.
Blendi Fevziu: “Nuk ishte ai në tryezën tuaj?”
Damir Fazlliç: “Jo”.
Blendi Fevziu: “Po përse iu shoqëroi policia atëherë?”
Damir Fazlliç: “Sepse ishim dëshmitarë. Po e përsëris. Ai është restorant shumë i vogël. Aty ishin dy tavolina dhe ne ishim ulur pranë e pranë. Ishim të vetmit dëshmitarë”.
Gazetari Blendi Fevziu e pyeti biznesmenin Damir Fazlliç dhe mbi lidhjet e tij me ministrin Basha dhe nëse ky i fundit e ka favorizuar me tenderë publikë kur ishte në krye të Ministrisë së Transporteve.
Damir Fazlliç: “Ajo që më acaron më shumë nga kjo përfshirje në këtë shpifje mediatike dhe lojëra politike është se ata dalin dhe përgojojnë me egërsi ditën për diell, por nuk kanë në dorë asgjë. Pse asnjë socialist i vetëm nuk ka qoftë edhe një copë të vetme letre dhe të thotë se kjo është kompania e zotit Fazlliç dhe ja çka bërë ajo me qeverinë. Unë i sfidoj publikisht për ta bërë. E sfidoj të gjithë Partinë Socialiste që të gjejë qoftë edhe një qindarkë të vetme.”
Blendi Fevziu: “Ju jeni shfaqur në televizion, madje është ripërsëritur tashmë. Në një takim të zotit Berisha me zotin Tom Riç. Ç’lidhje keni ju me zotin Riç?”
Damir Fazlliç: “E kam mik nga Uashingtoni. Është njeri i mrekullueshëm dhe patriot i flaktë”.
Blendi Fevziu: “A keni qenë ju ndërmjetës për praninë e tij në Shqipëri? A keni ndërhyrë ju?”
Damir Fazlliç: “Jo, unë i sugjerova zotin Riç që të vinte dhe herën e parë që erdhi e shoqëroja unë, pastaj u takua me kryeministrin.”
Shpërthimi në Gërdec do të hidhte në tregun mediatik një sërë aludimesh dhe akuzash që nuk lanë jashtë dhe Damir Fazlliç duke i adresuar një lidhje mes tij dhe biznesmenit të arrestuar, Mihal Delijorgji.
Duke mohuar kategorikisht një gjë të tillë Fazlliç i tha gazetarit Fevziu dhe arsyen se pse nuk zgjodhi t’i përgjigjej këtyre akuzave të shtypit.
Damir Fazlliç: “Profesor Kisinxher thoshte gjithmonë: “Mos u zhgërryej kurrë në të njëjtën baltë me derrat sepse derri fiton gjithmonë”./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi