Intervistë me ish Kryeministrin e Shqipërisë zotin Fatos Nano.

Gazetari: A i druheni rindezjes së konfliktualitetit nga ana e rivalit të vjetër Berisha?

Fatos Nano: Nuk besoj se me këtë seriozitet dhe angazhim që zhvilluam kongresin tonë kemi dhënë mesazhe që mund të luajë cilido me ne. Dhe në rast se rivali i institucioneve dhe i qeverisjes së mirë në Shqipëri, Berisha dhe jo i imi personal do të mendonte se mund të përsëriste aventura destabilizuese të shtetit apo të Shqipërisë në një situatë krejt të ndryshme nga pothuajse një vit më parë edhe në Rajon, kjo do të ishte një aventurë e rrezikshme për të dhe për askënd tjetër. Unë do të angazhohem me institucionet e reja drejtuese të PS që dialogu politik të vazhdojë por ai të mbështesë forcimin dhe jo dobësimin e shtetit ligjor.

Gazetari: Fitorja nuk ishte e lehtë me 34 vota ndryshim vetëm?

Fatos Nano: Nuk do të ngutesha të krijoja një interpretim politik të këtij rezultati vetëm nga pikëpamja aritmetike prandaj shpreha dhe angazhimin solemn do te studjoj më shumë vëmendje të gjithë rezultatin e votës për të kuptuar orientimin e delegatëve dhe të anëtarësisë socialiste që ata përfaqësojnë dhe për të kuptuar faktorët që kanë ndikuar në këtë ekuilibër, do ta vlerësoja nje ekuiliber premtues dhe pozitiv. Dhe nuk besoj se në PS ka një ndarje konceptuale dhe politike në interpretimin e nevojës së ecjes së Shqipërisë drejt Europës apo të qëndrimit në vend.

Gazetari: Ju shtrënguat duart me Majkon, si mendoni cili është roli i tij menjëherë pas kongresit?

Fatos Nano: Duke qënë se në PS ka vend për të gjithë kjo do të thotë që në radhë të parë ka vend për kryeministrat dhe përputhje përvojë edhe për ish kryeministrat. Kështu që Majko do të ishte një lluks i madh për të gjithë ne që ta humbisnim sepse kemi krijuar të gjithë së bashku këtë shkollë qeverisëse, këtë shkollë politike dhe produktet e saj potenciale dhe personalitetet përfaqësuese të partisë. Dhe normalisht Majko do ishte dhe në përputhje me konceptet e statutit të ri që kam propozuar dhe do pres rezultatin e kalimit ose jo të tyre. Një nga figurat kryesore sërish të PS sepse ish kryeministra apo kryeministra dhe drejtues apo përfaqësues të partisë në shtet janë anëtarë të forumeve drejtuese kryesore. Besoj se Majko ka dhënë shembujt e nevojshëm për të njohur shumicën, për të respektuar shumicën dhe ndoshta unë e kuptoj sensibilitetin e pyetjes tuaj është hera e parë që ndodhem në pakicë por është një pakicë që mua nuk më çon në mendime ndarëse ose në shqetësimin së PS po pëçahet, sepse edhe njerëz të tjerë në politikën shqiptare deri më sot jo në PS që kanë menduar se kanë humbur janë përpjekur të largohen për të marrë ndonjë pjesë me vete por tek socialistët nuk ka ndodhur kurrë.

Gazetarja: Mos vallë ky ishte një testim për Majkon që shumicën e gëzonte vetëm prej jush?

Fatos Nano: Është shpejt ta lexoje dhe ta interpretojë plotësisht mesazhin e kësaj vote, por sidoqoftë nuk besoj se kanë dominuar thjesht emocionet në pozicionimet e delegatëve, nuk besoj se nga ana tjetër gjithashtu kanë predominuar arsyet racionale në këtë votim. Mund të kenë pasur dhe interferenca interesash që unë pres me shumë vëmendje t’i identifikoj se çfarë natyre janë dhe mbi këtë bazë të ndërtojmë politika të konsolidimit të PS dhe natyrisht konsolidimit të qeverisjes së Shqipërisë.

Gazetarja: Do të jetë Majko përsëri emri i ri në qeverisje?

Fatos Nano: Normalisht kjo çeshtje mbetet për tu gjykuar në konsultim të ngushtë institucional me forumin e ri.

Gazetarja: Do të jeni kaq i afërt me bazën sa dhe këto 8 muaj?

Fatos Nano: Kam ndjerë kaq dëshirë dhe kënaqësi duke e bërë në mënyrë intensive për shkak të fushatës, riçmalljen me shokët e mi socialistë pas 4 vjet burg, saqë më duhet të pohoj që nuk jam çmallur ende akoma dhe do të vazhdoj për shumë kohë ende./tvklan.al