Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Mesazhi kërcënues ndaj shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, i publikuar në faqen e Armatës Kombëtare Shqiptare, nuk është qëndrimi i kësaj armate. Mesazhi ka nënshkrimin e Alban Kosovës, pseudonimi i një personaliteti të Kosovës, kështu deklaron në një intervistë për TV Klan Gafurr Adili, kryetari i FBKSH, ose i njohur si drejtuesi politik i AKSH.

Gafurr Adili: “Këtë letër-reagim, apo këtë mesazh, që mund të quhet edhe kërcënues, për mendimin tim nuk është kërcënues, por është më tepër sqarues për zoti Kadare, i cili ofendon popullin shqiptar nga Parisi, gjë e cila nuk i tolerohet as Kadaresë, të gjykojë popullin shqiptar të Kosovës, as popullin në Shqipëri, duke ndenjur tek armiqtë e popullit shqiptarë, tek miqtë e Serbisë në Paris. Pra unë nuk e kërcënojë Kadarenë, as AKSH, por Alban Kosova, artikullin të cilin e lexova i thotë shumë mirë, sepse Kadare nuk ka të drejtë të gjykojë popullin, ashtu si nuk ka të drejtë shumica e politikanëve në Kosovë, të cilët mbajnë përgjegjësi historike, për gjithçka ndodh në Kosovë dhe në Shqipëri”.

Adili komenton edhe situatën e fundit në Kosovë, duke thënë se AKSH vepron vetëm në 30% të territorit të Kosovës.

Gafurr Adili: “AKSH vepron gjithandej ku janë uniformat sllave, pra me plotë përgjegjësi e them, brigada 111 e AKSH vepron në 30% të territorit të Kosovës, e cila vazhdo të jetë e pushtuar dhe kolonizuar nga Serbia. Aty ku nuk është KFOR dhe UMNIK-u, aty ku nuk është ushtria shqiptare, aty ku nuk është TMK është AKSH. Përgjegjësi për ngjarjet në Kosovë, lë t’i mbartin ata të cilët e sollën këtë situatë. Pra përgjegjësitë i ka vetë UMNIK-u, përgjegjësitë në Kosovë i ka vetë politika shqiptare, e cila popullin shqiptar në Kosovë e kanë lënë në gjendjet mjeruar”.

I pyetur nga TV Klan rreth deklaratave kërcënuese ndaj tij shkrimtari i madh Kadare nuk pranoi të jepte asnjë koment./tvklan.al