Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Gazetari: Zoti Smoravinski, a ka kuptim vendimi më i fundit i Këshillit të Europës për të vazhduar monitorimin për Shqipërinë, në një kohë kur vendi ynë ka hapur negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociiimit me Bashkimin Europian?
Jerzy Smorawinski: “Gjykoj se është e rëndësishme që autoritetet shqiptare të kuptojnë se që të kenë sukses në procesin e Stabilizim Asociiimit me BE, më parë duhet të kenë plotësuar detyrimet që kanë marrë përsipër ndaj Këshillit të Europës. Është organizata jonë, e cila do të vendos më pas, nëse procedura e monitorimit do të hiqet dhe kjo nuk është kompetencë e zyrtarëve shqiptarë”.
Gazetari: Anëtarët e delegacionit shqiptarë i kanë lidhur vërejtjet tuaja në raportin e KE me qëndrime personale dhe jo objektive.
Jerzy Smorawinski: “Unë kam qenë reporter në 5 vitet e fundit për Shqipërinë, fakti që palët shfaqën pretendimet tregon se sa objektiv është raporti ynë për këtë vend. Mendoj që është i balancuar në të gjitha termat. Fatkeqësisht zgjedhjet në Shqipëri nuk realizojnë standardet, sidomos me problemet e listave të votuesve. Momenti më i rëndësishëm mbetet zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005, të cilat duhet të jenë të lira, demokratike dhe të pa kontestuara. Mbetet një vit kohë për autoritetet, të cilët duhet të nxitojnë të plotësojnë këto rekomandime. Ideja ime është që zgjedhjet duhet të mbikëqyren më tepër nga njerëz me funksione administrative sesa nga politikanët”.
Gazetari: Zoti Smoravinski, cila është formula juaj për KQZ, një institucion tepër i kontestuar kohët e fundit në Shqipëri.
Jerzy Smorawinski: “Sipas mendimit tim, KQZ duhet të jetë një organ i balancuar politikisht, në mënyrë që forcat e mëdha politike të mirëkuptojnë më pas edhe interesat e partive të vogla. Shpresojmë që rekomandimet e KE këtë radhë do të merren parasysh nga autoritetet shqiptare”./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame