Vajdin Lame: “Unë kam parë, jo më shumë nga të dhënat që i kam deklaruar në polici, ndërsa, e parë nga ana ime, është vetëm një makinë nga ku është gjuajtur dhe asgjë më tepër. Të dhënat e tjera them se nuk përbëjnë ndonjë sekret për mua, por duke qenë se mendoj se janë gjëra teknike ato i përkasin vetëm deklarimit tim pranë organit të policisë ku unë jam shpjeguar.”

Gazetarja: “Ndërkohë ju a keni pasur ndonjë kërcënim direkt në lidhje me faktin që ju dikur keni qenë drejtor, nëndrejtor policie, pra titullar në polici, ndërkohë që kohët e fundit jeni një biznesmen? Në lidhje me aktivitetin tuaj në të shkuarën dhe në të tashmen, mendoni që ka dikush diçka për t’ju kërcënuar?”

Vajdin Lame: “Unë do të thoja që aktiviteti im në polici, ka rreth 5 vite që unë nuk jam më në ato rrathë, kështu që, duke qenë se jam dhe personazh pak a shumë publik, do të thoja që edhe në qoftë se unë mund të isha objektiv i atij atentati, nuk mendoj se aty do të ishte vendi më i përshtatshëm, pasi në gjithë këtë kohë, pas punës sime në polici, unë kam qenë komplet i lirë, gjithë kohën në lëvizje, në vende më të favorshme ndoshta ku krimi mund të ishte më i egër dhe më i pazbulueshëm. Nuk di të kem pasur ndonjë arsye. Mendoj që arsyeja e vetme do të ishte ndoshta ndonjë marrëdhënia ime gjatë kohës së punës me krimin, por edhe kjo nuk më bën të kujtoj asnjë rast konkret. Kështu që unë e përjashtoj në mënyrë kategorike që të kem qenë objekt sulmi.”/tvklan.al