Planet e Bashkimit Evropian për rindërtimin e tij kanë marrë një goditje të rëndë kur Irlanda i tha jo traktatit të Lisbonës, një version i zbutur i kushtetutës evropiane e hedhur poshtë në vitin 2005 nga francezët dhe holandezët.
53.4% e irlandezëve votuan kundër ndryshimeve kushtetuese të propozuara nga traktati që synon të reformojë institucionet evropiane dhe zhvillimin e Bllokut të 27 kombeve.
Sipas traktatit të Lisbonës, Bashkimi Evropian do të kishte një president dhe një ministër të jashtëm si dhe një pakt të përbashkët mbrojtjeje, ndërsa komisioni evropian do të kishte 18 dhe jo 27 anëtarë .
Goditja irlandeze është përshkruar si një tragjedi nga shumë liderë të kontinentit. Kjo do të thotë se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të veprojë me rregulloren aktuale, ndërsa liderët politikë duhet ose të vendosin nëse do të përpilojnë një kushtetutë të re që do të nënkuptonte vite të tëra pune, ose t’i kërkojnë irlandezëve të votojnë sërish.
Irlanda është i vetmi vend evropian që vendosi për traktatin nëpërmjet një referendumi.
Traktati i Lisbonës u nënshkrua më 13 Dhjetor të 2007 me synimin për t’i dhënë fund një procesi të vështirë dhjetëvjeçar reformash.
14 vende të Bllokut e kanë ratifikuar tashmë, ndërsa një sfidë e madhe e pret kryeministrin irlandez, Brian Couen, javën e ardhshme në Bruksel ku pritet të japë llogari për këtë humbje gjigande./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle