Lajme Arkiva 2003

Et’hem Bishuni 43 vjeç, ish efektivi i burgut të Bënçës ka shkuar vetëm për të vrarë në shtëpinë e gruas së tij sepse dëshmitarët e kanë parë atë të armatosur me një automatik në të cilin ishin vendosur dy karikator dhe një çantë plot me bomba dhe granata.

Rreth orës 12:30 minuta Et’hemi ka mbërritur në fshatin Dorëz të Tepelenës, fshati më skajor i këtij rrethi dhe përpalljen e parë e ka pasur me gruan e tij Suzana Hasa 35 vjeçe me të cilën ishin ndarë disa ditë më parë.

Pas sherrit që ka bërë me të ka tentuar ta qëllojë, por Suzana i ka shpëtuar plumbave dhe është fshehur duke marrë vetëm disa plagë të lehta. Në këtë moment Nëna e Suzanës, Refije Hasa rreth të 70-ve që ka dëgjuar krismat ka dalë jashtë për të parë ç’kishte ndodhur, por Et’hemi ka zbrazur asaj një karikator plumbash duke e lënë të vdekur.

Pas vjehrrës ai ka qëlluar edhe mbi nusen e shtëpisë duke i shkaktuar edhe asaj vdekjen e menjëhershme. Një nga të afërmit e kësaj familje e tregon në këtë mënyrë krimin e kryer.

“Ai ka ardhur rreth orës 12:30 duke mos gjetur edhe të zotin e shtëpisë, direkt ka marrë gruan e tijme të cilën kishte kontradikta shumë të mëdha dhe e ka vënë me automatik, me kallashnikov përpara, drejt që ta çonte te vjehrra. Vjehrra me të gjithë nusen e kësaj shtëpie ishin duke punuar. Atëherë ai e qëllon të vjehrrën, e lë të vdekur direkt, qëllon edhe gruan e tij, por atë nuk e kapin predhat dhe më pas siç më thanë ka qëlluar edhe kunatën. Këtu qëndron edhe krimi më misterioz që jemi të tërë të indinjuar nga kjo vrasje”.

Ndërsa djali i madh i shtëpisë ende nuk e di motivin e vërtetë të kësaj masakre, por ai paralajmëron:

“Kërkojmë nga shteti në qoftë se ky person Et’hem Bishuni nuk kapet nga shteti për një javë ne nuk do të pyesim më as për ligj dhe as për shtet”./tvklan.al