Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Ervis Kotini ish-gjyqtar i Gjykatës së Tiranës, ndaj të cilit Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet, dje rreth orës 16:30 i shoqëruar dhe nga avokati mbrojtës Fatmir Brahja është vetëdorëzuar në prokurorinë e rrethit të Elbasanit. Ndaj Kotinit, gjykata e Elbasanit kishte urdhëruar arrestin, pasi akuzohet për veprën penale të dhënies së një vendimi të padrejtë, që më 8 Korrik të këtij viti.

Nga prokuroria, ish-gjyqtari 28 vjeçar është transferuar në qelitë e paraburgimit në drejtorinë e policisë së Elbasanit në pritje të gjykimit. Kotini dyshohet se ka abuzuar me dashje në dy dosje penale që ka gjykuar, kur ishte me detyrë në gjykatën e Tiranës. Njëra dosje ka të bëjë me një vrasje dhe tjetra ka të bëjë me një të akuzuar për trafik.

Abuzimet e Kotinit u zbuluan gjatë një kontrolli rutin të KLD-së dhe më pas çuan deri në shkarkimin dhe hetimin e tij./tvklan.al