Adriana dhe Bashkimi janë dy bashkëshortë që e kanë lidhur jetën me njëri-tjetrin pas shkëputjes nga martesat e mëparshme që kanë qenë të vështira për të dy. Adriana është nismëtarja e përballjes së tyre në “Shihemi në Gjyq” pasi thotë se ish-gruaja e Bashkimit nuk e lë çiftin të qetë.
Sipas shpjegimit të Adrianës në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, të dyja palët jetojnë në Zvicër dhe shtëpitë ndodhen pranë. Takimet e rastësishme mes tyre janë shumë të shpeshta, por Adriana është e shqetësuar e madje siç pranoi edhe vetë, xheloze për takimet mes Bashkimit e ish-it të tij.
Nga ana tjetër, Bashkimi thotë se ka diçka tjetër në këtë histori. Përgjatë martesës së parë, është vendosur një pasuri e përbashkët, vilë trekatëshe në Vorë. Në vitin 2018 që ka ndodhur divorci, ai ka pasur një detyrim financiar ndaj njërit prej dy fëmijëve i cili vazhdonte studimet e larta.
Eni Çobani shpjegon si ka rrjedhur zhvillimi i pagesave duke qenë se divorci është bërë në Shqipëri ndërsa të gjithë jetojnë në Zvicër.
Eni Çobani: Në ’18-ën është bërë zgjidhja e martesës, zotërisë i është lënë një detyrim kundrejt njërit prej fëmijëve për shkak që ky fëmijë vazhdonte studimet e larta dhe meqenëse ligji thotë deri në përfundim të studimeve të larta, edhe pse fëmija mund të jetë madhor, prindi i cili nuk e ka kujdestarinë e këtij fëmije, duhet të paguajë edhe pension ushqimor. Këtë pension ushqimor zotëria nuk kishte filluar t’ia jepte sepse kishte pasur pretendimin që këtë zonja po e merrte në Zvicër, ndërkohë zonja vjen në Shqipëri, vë në ekzekutim këtë detyrim të cilin thotë që meqenëse zotëria nuk më ka paguar për kaq vite, kjo kalon me vlerën e gjysmës së banesës që i takon Bashkimit. Ndërkohë merr të gjithë banesën dhe i thotë Bashkimit që ti nuk ke vend këtu sepse unë e kam fituar me përmbarim për shkak të mospagimit të detyrimit ushqimor.
Sipas Çobanit, kjo është edhe arsyeja që kanë ndodhur takimet e shpeshta mes Bashkimit e ish-gruas së tij. Ai ka dashur t’i shpjegojë që detyrimi financiar është shlyer dhe s’ka arsye që ai të paguajë edhe në Shqipëri, madje kjo dëshmohet përmes transfertave bankare.
Eni Çobani: Vendimi që mbaron në Shqipëri merr formë të prerë. Në momentin që merr formë të prerë dhe ne nuk jetojmë në Shqipëri, por divorcin e kemi bërë në Shqipëri, atëherë ky vendim na vlen për shtetin në të cilin jetojnë të dy sepse ky detyrim nuk mund të merrej nga Shqipëria sepse çifti jetonte atje, dajali shkollohej atje. Atëherë merret vendimi, noterizohet, vihet edhe vula apostile dhe çohet në shtetin përkatës. Atje merret një avokat dhe bëhet një ekzekutim dhe këtë e ka bërë zonja në Zvicër, pra e ka marrë vendimin shqiptar, e ka vënë në ekzekutim dhe i ka thënë Bashkimi avokati atje kaq e ke faturën zotëri për djalin derisa të përfundojë shkollimin dhe Bashkimi ka filluar se edhe në qoftë se nuk e bën Bashkimi, ta mban shteti direkt nga banka.
Detyrimi financiar njihet, por ish-gruaja e Bashkimit ka marrë vendimin dhe ka shkuar në një zyrë përmbarimore në Shqipëri ku nuk dihet nëse e ka informuar për procedurat e mëparshme. Zyra ka vijuar me përllogaritjen duke rezultuar se vlera që Bashkimi duhet të paguajë në Shqipëri përkon me gjysmën e vilës. Ndërkohë në vendimin e gjykatës është caktuar një pension prej 30.000 lekësh ndërsa Adriana shton se në Zvicër, Bashkimi i ka paguar ish-gruas edhe 15.000 franga shtesë./tvklan.al