Ish-sekretari i NATO-s, Lord George Robertson, i cili po qëndron në Kosovë për nder të 25-vjetorit të Çlirimit ka kërkuar nga vendet e Bashkimit Evropian të jenë të gatshme “për çdo kërcënim të Rusisë dhe vendeve aleate të saj”. Në konferencën e Ballkanit Perëndimor ai tha se rreziku nga ndikimi rus ekziston, por kjo sipas tij nuk e përfshin vetëm kërcënimin ushtarak.
“Samiti i Uashingtonit duhet gjithashtu të përballet me faktin se derisa tensioni po fokusohet në atë çfarë po bën Rusia në Ukrainë, gjithashtu duhet të shoh se çfarë po bëjë Rusia në Ballkanin Perëndimor. Keqinformimi, destabilizimi, shkatërrimi të gjitha këto janë instrumente të Rusisë”, tha Robertson.
Ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është një sfidë që duhet tejkaluar vetëm me njohje reciproke dhe jo diçka më pak.
“Përfundimi i këtij procesi duhet të jetë njohja mes dy vendeve, sepse diçka më pak se kjo nuk e përmbush këtë vizionin që e kemi për një Evropë të plotë, të lirë, të begatshme dhe në paqe”, u shpreh Hovenier.
E kryeministri Albin Kurti tha se Ballkani vërtetë mund të ketë perspektive për Evropën, ndërsa shtoi se Kosova nuk ka problem me serbët e saj por me Serbinë.
“E duam integrimin e serbëve në Kosovë. Kemi 4 për qind të popullatës serbe këtu, por kemi edhe pakica të tjera që duam t’i respektojmë. Duam të bashkëpunojmë me komunitetet të krijojmë republikë demokratike në bazë të qytetarëve. Nuk mendoj se duhet të jetë ndarje etnike. Problemi nuk është me popullin e fqinjit verior, por me Qeverinë e Serbisë. Aspak me serbët e Kosovës që po integrohen”, tha Kurti.
Ish-kryeministri Italian Mateo Renzi ka thënë se Evropa rrezikon të humbë rolin e vet nëse nuk ndryshon në të ardhmen.
Tv Klan