Pas deklaratave të kryeministrit Berisha, se ligji 7501 nuk do të preket, por do të bëhet vetëm verifikimi i rasteve abuzive me ndarjen apo përfitimin e tokës, pronarët e ligjshëm shprehen se më në fund çështja e pronave po trajtohet ekonomikisht dhe jo politikisht.

Reshit Vorpsi: “Që ky ligj në thelbin e vet kërkon të mbrojë, shteti kërkon të mbrojë interesat e shtetit, duke e vlerësuar procesin e ndarjes së tokës, e dhënies së pronësive tashmë si një proces ekonomik dhe jo si një proces politik ose elektoral dhe ky është hapi i parë dhe i qenësishëm. Duhet të jemi të gjithë të qarë se sa më tepër të synohet drejt kompensimit të pronarëve aq më tepër do të rritet ai që quhet detyrimi i shtetit kundrejt pronarëve shqiptar. Pra sa kohë që 7501 është vlerësuar si një ligj politik kuptohet që nga të gjithë këto persona nuk do të vilet asnjë gjë për pronarët shqiptar, përkundrazi ato do të përfitojnë pa para pasuri të pallogaritshme.”

Vorpsi përmend abuzimet që janë bërë në vite nga zbatimi i ligjit 7501 e në ligjin  e ndarjes së tokave të ndërmarrjes bujqësore.

Reshit Vorpsi: “Është e pamundur që të vlerësohet se sa është abuzimi në ndarjen e tokës së ish kooperativave bujqësore. Minimalisht 100 mijë hektarë tokë nga pasuria e tokës, pasuria e ish-ndërmarrjeve bujqësore janë ndarë në kundërshtim me ligjin, me Vendimin e Këshillit të ministrave me ligjin 452c dhe më vonë me ligjin për ndarjen e tokës së ish ndërmarrjeve bujqësore. Me ligjin 7501 pretendohet që janë ndarë 434 840 hektarë tokë bujqësore, ndërsa amendimin e Këshilli të Ministrave numër 452 për ndarjen e tokës së ish-ndërmarrjeve bujqësore, janë ndarë rreth 129 mijë hektarë tokë.”

Nga ana tjetër Partia Demokracia Sociale i ka konsideruar si presion mbi popullsinë e fshatit deklaratat e fundit të Berishës për çështjen e pronave.

Artur Duçkallari: “Me ndërmarrjen e kësaj manovre të kamufluar elektorale Berisha pranon dështimin e tij të madh të radhës atë të zgjidhjes përfundimisht të çështjes së pronave dhe të titujve të pronësisë dhe po kërkon të kërcënojë hapur mijëra fshatarë.”/tvklan.al

Gazetar: Anila Rama

Operator: Isdor Rudho